Lidhje

Zgjedhjet në Francë


Qyteti Hejanzhë në Francën lindore dikur njihej si “Teksasi” i vogël për pasurinë e tij, në saje të një industrie minierash që e ka zanafillën që në kohët romake. Por shkatërrimi i kësaj industrie dhe gjendja jo e mirë ekonomike ka nxitur pakënaqësi, që e kanë bërë qytetin një prej bastioneve më të mëdha të Marine Le Pen-it – kandidates presidenciale të Frontit Kombëtar, një parti nacionaliste që kundërshton imigracionin.

Ky është territor i Marine Le Pen-it. Industria e metaleve e Hejanzhit e ka zanafillën 2 mijë vjet më parë, që ka bërë të mundur lulëzimin ekonomik të qytetit për shekuj me radhë. Disa madje e kanë krahasuar atë me Teksasin amerikan.

“Këtu lulëzonin bizneset e vogla. Njerëzit ishin të pasur, ngaqë kishin punë. Të gjithë punonin.”

Ndryshimi i madh erdhi në vitin 2013, kur megjithë premtimet nga Presidenti socialist i Francës, Francois Hollande, për ta mbajtur uzinën, ajo u mbyll. Ishte punëdhënësja e fundit, më e madhe e qytezës...

Ndërsa bizneset mbylleshin, filluan të kenë përherë e më tepër punë grupet e bamirësisë si ky këtu:

“Ekziston një mjerim i plotë psikologjik. Njerëzit janë si të humbur. Ata shohin televizion, ndjekin zhvillimet politike dhe kanë besim tek ata individë që u ngjallin shpresë; ata besojnë tek cilido që vjen këtu e u thotë se nesër kanë për të patur punë dhe se do t’i largojnë të gjithë të huajit.”

Dikur një bastion i sindikatave të majta, Hejanzhë tani ka ndryshuar kahun politik. Kryetari bashkisë, dikur një komunist dhe aktivist për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, është anëtar i Frontit Kombëtar dhe një mbështetës i fortë i Marine Le Pen-it.

“Vendi ynë është viktimë e ç’industrializimit, i papunësisë masive… Ai ndeshet me problemin e imigracionit masiv që po sjell islamizimin e vendit tonë dhe po shton pasigurinë,”- thotë ai.

Ndjenja e sigurisë, punësimi dhe premtimi për liri i ka sjellë këtu vite më parë këta imigrantë nga ish-Jugosllavia:

“U largova nga vendi im për t’i shpëtuar frikës. Ikëm bashkë me fëmijët, me familjen, në vitin 1998. Gjatë gjithë periudhë së luftës, prisja nga dita në ditë të ikja dhe kur, në vitin 1998, erdha në Francë, thashë: nuk ka vend më të mirë në botë sesa Franca. Sot Franca nuk është njëlloj si më parë, është bërë një vend racist. Kur i tregoj dikujt emrin tim, që është mysliman, ata më tregojnë derën, thonë: hajde më vonë…”, - tregon ky imigrant.

Në një miting aty pranë, përkrahës të Le Pen-it thonë se mesazhi i saj nuk nxitet nga racizmi:

“Unë nuk mendoj se ajo është raciste. Ajo thjesht është një grua e drejtpëdrejtë, që flet qartë. Shumë njerëz që e mbështesin nuk janë me origjinë franceze. Pra, unë nuk mendoj se ajo është raciste.”

Në kushtet kur industria e qytetit është shkatërruar, Hejanzhë ofron pak mundësira për njerëzit që kërkojnë punë. Mijëra prej tyre shkojnë në Luksemburgun fqinj.

Për Bertrand Michaux, koha e mirëqenies tani i përket së shkuarës.

“Nuk ka për t’u bërë kurrë më një Teksas. Qyteti ynë ishte Teksas kur kishte uzinat e çelikut, minierat. Tani gjithshka është e vjetëruar. Unë do të thoja se Hejanzhë është shitur.”

Marine Le Pen premton se do ta bëjë Francën si më parë. Për disa njerëz që jetojnë në mesin e rrënojave, ky premtim është e vetmja shpresë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG