Carl Bildt, në cilësinë e përfaqësuesit të komisionit për Marrëdhënie të Jashtme të Këshillit Evropian, ishte të martën në Shkup për t’u takuar me drejtuesit politik të atjeshëm lidhur me krizën që ka përfshirë Maqedoninë. Zoti Bildt tha se ngërçi duhet zgjidhur përmes respektimit të kushtetutës së vendit. Ndërkohë, atje vazhdojnë të jenë proceset e bllokuara.
Ish-kryeministri dhe ish-ministër i jashtëm i Suedisë, Carl Bildt erdhi në Shkup në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike. Zoti Bildt, si njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan, në Shkup takoi drejtuesit e partive kryesore, ndërsa tha se zgjidhja e problemeve duhet bërë duke respektuar kushtetutën. Ai, megjithatë nuk kishte në axhendën e tij një takim me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili është përfshirë thellë në krizën e krijuar. Nga zyra e këtij të fundit, nga ana tjetër, thanë se “presidenti nuk kishte kohë për takim me ish-zyrtarin suedez”.
Sidoqoftë, zoti Bild nuk u shfaq shumë optimist për një zgjidhje të shpejtë të krizës.
Ai vlerëson se çelësi për zgjidhjen e ngërçeve gjithmonë është tek kushtetuta e një vendi. “Maqedonia, shtoi ish-zyrtari evropian, “synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, përkatësisht t’i nisë bisedimet për këtë, por përveç problemeve të tjera që duhet zgjidhur, ekzistojnë edhe standarde demokratike që duhet respektuar nëse dëshironi të bëheni pjesë e BE-së”, theksoi ai.
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev në takim me zotin Bildt ka theksuar se proceset demokratike janë të domosdoshme për përparimin e Maqedonisë dhe se kjo duhet bërë përmes respektimit të kushtetutës dhe ligjeve nga të gjitha partitë politike dhe institucionet e vendit. Zoti Zaev, siç njofton zyra e tij, ka thënë se “shumica e re parlamentare do të zhbllokojë së shpejti procesin demokratik në parlament, do ta zgjedhë kryetarin e ri të tij dhe më pas qeverinë e re reformatore.”
Carl Bild në Tetovë u takua me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, i cili është shprehur se partia e tij është angazhuar fort për formimin e shumicës parlamenatare, por se tani vendimi për zgjidhjen e krizës qëndron tek partitë më të mëdha maqedonase.
Zoti Bild takon edhe Nikolla Gruevskin, kryetar i partisë VMRO-DPMNE dhe Bilall Kasamin, kryetar i Lëvizjes Besa.
Ndërsa Bildt erdhi në Shkup në një vizitë jozyrtare, parlamenti i vendit vazhdoi seancën e papërfunduar, pa zgjedhur ende kryetarin e ri as organet e tjera drejtuese. Ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së janë ata të cilët me ditë të tëra po e bllokojnë procesin, duke akuzuar Lidhjen Social Demokrate dhe partitë shqiptare për atë që e quajnë “Platformë e Tiranës”, me të cilën “do të dëmtohej sovraniteti dhe pavarësia e Maqedonisë.”
Facebook Forum