Qyteti New Orleans, në shtetin jugor amerikan të Luizianës, ka filluar heqjen e katër monumenteve që i përkasin periudhës së ndarjes racore në të shkuarën.
Punëtorët filluan heqjen e memorialit të parë, i cili përkujton një lëvizje të të bardhëve për të rrëzuar qeverinë e parë të krijuar në New Orleans me përfaqësues të të dyja racave, pas përfundimit të Luftës Civile Amerikane.
Zyrtarët vendosën që procesi i heqjes të kryhej gjatë orëve të natës për të shmangur përplasjet me kundërshtarët.
Këshilli i New Orleans, i përbërë nga një shumicë afrikano-amerikane, votoi që në vitin 2015 për heqjen e statujave, por beteja të ndryshme ligjore e kishin vonuar procesin.
Pas marrjes së vendimit, pati edhe kërcënime me vdekje, duke i detyruar punëtorët të veshin jelekë antiplumb dhe helmeta.
Tre statujat e tjera që do të hiqen në vazhdim, përkujtojnë Presidentin e entitetit rebel të Konfederatës së Shteteve Amerikane, si dhe dy gjeneralë të mirënjohur të asaj Konfederate.
Facebook Forum