Lidhje

Ndërmjetësimi për krizën, nis misioni i dy eurodeputetëve


Në Shqipëri nisën sot pasdite bisedimet për zgjidhjen e krizës politike që prej më shumë se dy muajsh sheh në protestë opozitën e vendit, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike e cila të garantojë sipas saj, zgjedhje të lira e të ndershme. Bisedimet po ndërmjetësohen nga një mision i Parlamentit Europian i përbërë nga David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit europian, dhe nga relatori për Shqipërinë Knut Fleckenstein. Ndërhyrja nga jashtë u kërkua nga drejtuesit e shumicës së majtë në pushtet të cilët i bënë ftesë Partisë Popullore Europiane, (PPE) grupimi i qendrës së djathtë europiane, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike. Eurodeputeti McAllister, është zëvendëspresident i PPE.

Burime diplomatike saktësuan se palëve në Shqipëri u është paraqitur që prej ditës së djeshme një dokument me disa pika që do të përbëjë dhe bazën e bisedimeve. Eurodeputetët kanë nisur takimin me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta, për të vazhduar më pas me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Misioni i tyre, i cili me gjasa do të jetë përpjekja e fundit për të gjetur një zgjidhje, duket tejet i vështirë, duke parë dallimet e thella në qëndrime mes palëve. Edhe sot zoti Basha gjatë fjalës së tij të përditshme në çadrën e ngritur përpara kryeministrisë, theksoi se “rrugë tjetër veç zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri teknike e cila paraprakisht do të largojë kriminelët nga institucionet, e do luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, e cila do të zbatojë reformën zgjedhore e do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme duke përfshirë votimin biometrik dhe elektronik dhe numërimin elektronik, rrugë tjetër nuk ka”, deklaroi zoti Basha.

Gjatë paradites, në pritje të mbërritjes në Tiranë të misionit të eurodeputetëve, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara Donald Lu, të Delegacionit të Bashkimit europian, Romana Vlahutin dhe të OSBE-së, Bernd Borchardt, patën një takim me kryetarin e parlamentit Iir Meta. Pas tyre, në zyrën e këtij të fundit shkoi dhe kryeministri Edi Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG