Lidhje

Papunësia nxit të rinjtë shqiptarë të emigrojnë në Greqi


Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër, një rreth kufitar me Greqinë, tha kësaj jave se referoi në Prokurori materialet për një 28vjeçar nga Burreli, të riatdhesuar nga Greqia në Pikën kufitare të Kakavijës. I riu shqiptar e kishte kaluar kufirin grek pa dokumente pasi ishte kapur nga rojet greke të kufirit dhe qëndroi gati 11 ditë në paraburgim duke pritur që autobuzi i policisë greke të mbushej me emigrantë të tjerë të paligjshëm për t`u nisur drejt kufirit shqiptar. Raste të tilla të referimit në prokurori janë gati të përditshme në rajonet policore kufitare të Korçës, Gjirokastrës dhe Sarandës zonat nga ku shqiptarët kalojnë kufirin grek në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë. Sipas Raportit mbi gjendjen e kriminalitetit në vend për vitin 2016 të Prokurorisë shqiptare u vu re një tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” prej 64,7 % në krahasim me vitin 2015. Prokuroria regjistroi 648 çështje të tilla nga 429 që ishin regjistruar në vitin 2015 ndërkohë që 341 të pandehur u dënuan me penalitete të lehta nga gjykata përgjatë vitit 2016 nga 246 që ishin dënuar në vitin 2015. Numri i çështjeve të regjistruara “për kalim të paligjshëm të kufirit” ka ardhur gjithnjë e në rritje në këto vitet e fundit dhe kjo lidhet me krizën ekonomike që po kalon Shqipëria dhe me një synim sidomos të të rinjve për të emigruar. Sipas raportit të Prokurorisë shqiptare në vitin 2013 ishin regjistruar 116 çështje për këtë vepër penale, në vitin 2013 ishin regjistruar 84 , ndërsa në vitin 2014 ishin regjistruar 207. Në vitin 2015 numri i çështjeve për kalim të paligjshëm të kufirit shkoi në 360 dhe në vitin 2016 shkoi në 648 çështje nga të cilat u proceduan 593. Sipas Raportit të Prokurorisë shqiptare numri më i madh i procedimeve të regjistruara për këtë vepër penale është në Prokurorinë e shkallës së parë Tiranë, që përbën 32 % të numrit total të procedimeve në shkallë vendi. Burimet zyrtare pohojnë se në Prokurorinë e shkallës së parë Gjirokastër është regjistruar 16 % e numrit total të procedimeve në shkallë vendi, në Prokurorinë Sarandë është regjistruar 15 % e numrit total të procedimeve në shkallë vendi, në Prokurorinë Korçë është regjistruar 13 % e numrit total të procedimeve në shkallë vendi.

Raporti policor grek: rritje e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria

Një raport i policisë greke flet se përgjatë vitit 2016 u bllokuan në territorin grek 11,333 shtetas shqiptarë pa dokumente pjesa më e madhe e të cilëve janë riatdhesuar në Shqipëri pas qëndrimit edhe me ditë në qelitë greke të paraburgimit. Të rinjtë shqiptarë vijojnë të emigrojnë në Greqi pa dokumente qëndrimi duke shfrytëzuar rrjetet e trafikut me shpresën për një punësim sezonal. Për nga numri i lartë i emigrimit shqiptarët renditen në Greqi pas refugjatëve nga Siria, Iraku, Pakistani, Afganistani dhe Afrika. Sipas Raportit Vjetor të Policisë greke mbi Kriminalitetin për vitin 2016, të rinjtë shqiptarë janë aktivë edhe në rrjetet e organizimit të trafikut të paligjshëm. Sipas të dhënave të policisë greke përgjatë vitit 2016 u arrestuan 111 shqiptarë për këtë vepër penale. Sipas të dhënave policore greke në jo pak raste trafiku i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë njeh bashkëpunime në grupe kriminale të cilat kombinojnë këto forma të kalimit të kufirt edhe me aktivitete të tjera kriminale në kufi. Ndër këto aktivitete mbetet përhapur trafiku i lëndëve narkotike apo i refugjatëve nga vendet e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme që depërtojnë në Shqipëri.

Shqiptarët në Greqi: një histori dëbimesh

Një Studim i sapopublikuar i Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore i përgatitur nga një ekip hulumtues profesorësh në Universitetin e Selanikut vlerëson se gjatë dekadës 2006-2015 u dëbuan nga Greqia rreth 175,000 emigrantë, shumica shqiptarë. Sipas studimit “Aspektet e emigracionit shqiptar në Greqi (Selanik 2017) “ deri në vitin 2011 shqiptarët përbënin rreth 50% të hyrjeve të parregullta në Greqi , ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2015 ishin shtetasit nga Siria, Iraku dhe Afganistani që përbënin rreth 80% të refugjatëve të paligjshëm. Studimi vlerëson se “në kufirin shqiptaro-grek në vitin 2007 ishin ndaluar 42.897 refugjatë shqiptarë, ndërkohë që në vitin 2014 ky numër ra në 4957. Por sipas të dhënave më të fundit si shqiptare dhe greke dy vitet e fundit kanë treguar një rritje të lartë të emigrantëve shqiptarë që kalojnë pa dokumente qëndrimi në Greqi dhe rrjedhimisht edhe të riatdhesimit të tyre nga autoritete greke.Nga hetimet e policisë greke ka rezultuar se emigrantët u paguajnë rrjeteve të trafikut nga 1.000 deri në 3.000 dollarë amerikanë ndërsa në jo pak raste nuk mungojnë edhe udhëtimet me ditë të tëra të emigrantëve shqiptarë në kufirin e gjelbër për të depërtuar në Greqi. Emigrantët që ndjekin këtë rrugë të paligjshme emigrimi drejt Greqisë e kanë të pamundur t`u vërtetojnë autoriteteve greke në kufi se mund të udhëtojnë për qëllime turistike në Greqi dhe të përfitonin kështu hyrjen e lirë sipas Marrëveshjes së Liberalizimit të Vizave të Shqipërisë me vendet e BE-së. Zona të tëra në Jug dhe Juglindje të Shqipërisë janë braktisur dhe në fshatrat e vegjël vitin e shkuar kultivimi i marijuanës ishte aktiviteti më i përhapur për punësim të të rinjve.

Papunësia në Greqi dhe statusi i vështirë i shqiptarëve nuk e ka ndalur emigrimin

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme greke të publikuara Nëntorin e vitit të shkuar mbi emigracionin e ligjshëm në Greqi, numri i emigrantëve të ligjshëm në këtë vend është 577.359 persona. Sipas të dhënave zyrtare greke komuniteti më i madh është ai emigrantëve shqiptarë që përbën 69% të emigrantëve ligjorë në Greqi, me 401.402 emigrantë. Sipas të dhënave zyrtare greke papunësia i ka prekur emigrantët më shumë se vendasit për shkak të thellimit të krizës ekonomike, vendeve të punës të pasigurta dhe të paguara pak. Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Greqi sipas statistikave zyrtare ishte në vitin 2013 mesatarisht 28%, por 24% ishte e ndarë për grekët dhe 40.3% për të huajt. Gjatë periudhës 2008-2013 numri i personave të siguruar ishte ulur me 13.6% për grekët, por ishte rritur me 43% për shqiptarët dhe kjo më së shumti për të përfituar prej tyre statusin e qëndrimit ku nevojiten rreth 150 ditë në vit për sigurimet e detyruara. Të dhënat greke tregojnë se deri në vitin 2007 emigrantët shqiptarë në Greqi dërguan në Shqipëri rreth 500 milionë euro, (gati 9% të PBB të vendit), ndërsa rreth 20.000 prej tyre themeluar bizneset e tyre në Greqi. Në shtatë vitet e krizës rreth 75,000 emigrantë që punonin e jetonin prej vitesh në Greqi u kthyen në Shqipëri, por jo pak u detyruan të riktheheshin në Greqi prej vështirësive të integrimit sidomos në tregun shqiptar të punës. Në këtë komunitet të madh emigrantësh shqiptarë në Greqi me mjaft problematika jetese dhe qëndrimi emigrantët e paligjshëm që udhëtojnë rishtas e kanë të vështirë të përfitojnë status të rregullt qëndrimi. Ata mbështeten kryesisht tek të afërm të tyre apo punëdhënës grekë për të siguruar punësim sezonal, sidomos në bujqësi, blektori dhe vjelje agrumesh dhe pas një periudhe disa mujore rikthehen në Shqipëri për të mbajtur gjallë familjet. Me shpresën se një vit më vonë do të udhëtojnë sërish nga zonat ndërkufitare pyjore apo duke u paguar trafikantëve shuma të mëdha të hollash.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG