Lidhje

Maqedoni, përleshje mes protestuesve dhe deputetëve në parlament

  • Isak Ramadani

Policia maqedonase përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit para parlamentit të Maqedonisë dhe për të krijuar një korridor për largimin e deputetëve të ngujuar brenda tij.

Grupe protestuesish hynë në parlamentin e Maqedonisë të enjten duke sulmuar kryetarin e Lidhjes Social Demokrate, pak pasi që partia e tij dhe partitë politike shqiptare votuan për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.

Sipas njoftimeve, 10 deri 15 deputetë të Lidhjes Social Demokrate kanë pësuar lëndime, përfshirë edhe kryetarin e saj Zoran Zaev. Po ashtu, njoftohet se kryetari i Lëvizjes për Reforma – PDSH, Ziadin Sela është lënduar. Pamjet shfaqin Zoran Zaevin të përgjakur. Deputetja dhe në kryetar e LSDM-së Radmilla Sheqerinska është parë duke u tërhequr zvarrë për flokësh nga një demonstrues.

Deputetët e shumicës parlamentare dhe gazetarët mbetën për disa orë të ngujuar brenda ndërtesës së parlamentit, derisa nuk u evakuuan prej andej nga njësitë e posaçme të policisë.

Ndërhyrja e protestuesve në parlament, pasoi zgjedhjen e zotit Talat Xhaferit në postin e kryetarit të parlamentit nga shumica e re parlamentare por pa votat e VMRO-DPMNE-së.

Deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe të partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizjes Besa, Aleanca për Shqiptarët nuk dolën nga salla e parlamentit pasi kryesuesi Trajko Velanovski e ndërpreu atë për ta vazhduar nesër dhe e votuan z. Xhaferi, një politikan, përfaqësues i BDI-së, për kryetar të ri.

Zoti Xhaferi u bë shqiptari i parë në krye të parlamentit që kur Maqedonia shpalli pavarësinë nga ish Jugosllavia në vitin 1991.

Komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për qetësi dhe që policia maqedonase të kryejë punën e vetë, të ndërhyjë për të marrë situatën nën kontroll.

Ambasada amerikane e dënoi dhunën duke kërkuar nga palët respektimin e parimeve demokratike për zgjidhjen e mospajtimeve.

E dënojmë dhunën në parlament në mënyrën më të ashpër. Ajo nuk është në pajtim me demokracinë dhe është një mënyrë e papranueshme për të zgjidhur dallimet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha partitë të respektojnë proceset demokrate dhe ligjin, të përmbahen nga aktet e dhunës, që do të ndiznin më tej situatën. Shumica e deputetëve zgjodhi Talat Xhaferin si kryetar të parlamentit gjatë një sesioni të rregullt në sytë e publikut dhe mediave. Ne do të vazhdojmë të mbështesin demokracinë dhe interesat e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Në një komunikatë të përbashkët të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe të Komisionarit për zgjerim, Johannes Hahn thuhet se “BE-ja është e bindur se dialogu politik brenda institucioneve është mënyra e vetme për të shkuar përpara. Ata u kërkojnë aktorëve politikë që të respektojnë Kushtetutën e vendit dhe të veprojnë në frymën e parimeve demokratike, njerëzisë dhe logjikës së shëndoshë. Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë është vend kandidat dhe Bashkimi Evropian është i gatshëm të bashkëpunojë me parlamentin mbi reformat e domosdoshme për ta çuar vendin përpara drejt rrugës evropiane”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në një paraqitje të jashtëzakonshme bëri thirrje për një takim të udhëheqësve të partive politike ndërsa dënoi veprimet që ai i cilësoi se janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. Ai e cilësoi si joligjore edhe zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.

Bëj thirrje për uljen e tensioneve dhe sjellje të përgjegjshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Deputetët janë përgjegjës për çdo veprim të tyre. Çdokush duhet të jetë përgjegjës për veprimet e veta. Vetëm përmes respektimit të kushtetutës dhe të ligjeve dhe të rendit kushtetues mund të ketë zgjidhje. Nuk ka çështje për të cilat nuk mund të arrihet epilog, por vetëm përmes respektimit të ligjeve dhe kushtetues", tha ai.

Maqedonia është pa qeverisje funksionale që nga viti 2015, kur vendi hyri në krizë të thellë për shkak të aferës së përgjimeve që çoi në rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga VMRO-DPMNE.

Zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar nuk sollën edhe formimin e qeverisë meqë VMRO-DPMNE e drejtuar nga ish kryeministri nacionalist Nikola Gruevski, nuk siguroi votat e mjaftueshme, ndërsa presidenti George Ivanov nuk i dha mandatin kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, me gjithë faktin se ai siguroi shumicën me partitë politike shqiptare.

Mbështetësit e VMRO-DPMNE-së u hodhën në protesta të përditshme për të kundërshtuar formimin e qeverisë nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare.

Lidhja Social Demokrate, përmes një komunikate thekson se “do të japin llogari të gjithë ata dhunues të cilët kanë rrezikuar jetët e deputetëve dhe për të gjitha veprat e porositura nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së".

Kriza aktuale është më e rënda që nga viti 2001, kur diplomacia perëndimore ndërhyri për t'i dhënë fund konfliktit ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG