Anija hapsinore e NASA-s, Cassini, kaloi të mërkurën në një territor të paeksploruar midis Saturnit dhe unazave që e rrethojnë. Ajo u rishfaq ditën e enjte e padëmtuar.
Cassini është e para dhe e vetmja anije hapsinore që ka rrezikuar të kalojë në boshllëkun midis Saturnit dhe unazave të tij. Anija e dërgoi sinjalin e parë në tokë të enjten herët në mëngjes, rreth 20 orë pasi ndodhi kalimi.
"Ju bëj me dije se anija kozmike Cassini kaloi nëpër boshllëk siç e kishim planifikuar dhe doli në anën tjetër në formë të shkëlqyer,” tha menaxheri i projektit, Earl Maize i Laboratorit Jet Populsion në Pasadena të Kalifornisë.
Shkencëtarët e humbën kontaktin me anijen gjatë kalimit nëpër boshllëk, sepse antena e saj u ul, për të mbrojtur pajisjet shkencore nga dëmtimet e mundshme prej materialeve që pluskojnë në unazat e Saturnit.
Unazat e Saturnit përbëhen nga copëza akulli dhe mbetje hapësinore.
Shkencëtarët e NASA-s planifikojnë të realizojnë edhe 21 tejkalime të ngjashme midis muajit që vjen dhe shtatorit, i pari prej të cilëve është planifikuar në datën 2 maj.
Cassini i vjen rrotulll Saturnit që prej vitit 2004, por duke qenë se karburanti po i mbaron, shkencëtarët vendosën të realizonin kalimin përtej unazës përpara se anija të dalë jashtë pune.
Facebook Forum