Lidhje

Rishikimi i vizave të punës dhe shqetësimet e kompanive amerikane


Sanctuary Cities

Presidenti Donald Trump njoftoi rishtazi se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për rishikimin e programit të vizave që mundëson ardhjen e shumicës së punonjësve të teknologjisë në SHBA, i njohur si programi i vizave H1B. Nëpërmjet këtij programi, në SHBA vijnë çdo vit rreth 85 mijë punonjës të huaj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, shumë kompani shpresojnë që rishikimi i këtij programi të rrisë numrin vjetor të vizave dhe të inkurajojë më shumë amerikanë të trajnohen për pozicionet e reja të punës.

Pete Tapaskar ka lindur në Indi, në një shtëpi pa ujë të rrjedhshëm dhe elektricitet. Sot, ai punon në SHBA, në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Rrugëtimi i tij nga India drejt SHBA-së, nëpërmjet Kanadasë, u mundësua nga programi i vizave H1B.

“Programi HIB ka kontribuar shumë për novacionin amerikan”, thotë Pete Tapaskar, tashmë presidenti i Shoqatës së Firmave të Vogla dhe të Mesme Teknologjike.

Tashmë shtetas amerikan, zoti Tapaskar punon prej15 vitesh si menaxher i programit të emigracionit të kompanisë teknologjike ProSoft. Shumica e njerëzve që ai ka punësuar vijnë nga India, por ai thotë se punësimi i tyre nuk ka qenë gjithnjë zgjidhja ideale.

“Do të kushtonte më pak të punësonim amerikanë pasi sjellja e njerëzve nga jashtë nënkupton ndjekjen e procesit të zgjatur H1B, që pasohet nga një periudhë tjetër pritjeje të gjatë, ndërkohë që kërkesa e tregut ndryshon”, thotë ai.

Por, zoti Tapaskar thotë se nuk ka mjaftueshëm amerikanë me eksperiencën që duhet për këto vende pune.

“Departamenti amerikan i Punës ka njoftuar se do të duhet të mbushen deri në vitin 2020 rreth 1.4 milionë vende pune vetëm në sektorin e programimit”, thotë Richard Burke.

Zoti Burke është drejtor i “Envoy Global”, një firmë që shet programe dhe ofron shërbime ligjore për kompanitë amerikane që kërkojnë të punësojnë të huaj, si dhe përgatit dërgimin e punonjësve amerikanë në vende të tjera.

Ai thotë se boshllëku i aftësive është krijuar pasi pak amerikanë po arsimohen dhe trajnohen për vendet e punës për të cilat ka kërkesë të lartë, si në shkencë, teknologji, inxhinieri apo matematikë. Gjithashtu, shumë studentë të huaj të arsimuar në SHBA, nuk qëndrojnë për të punuar këtu.

“Çdo vit, mbi 300 mijë të huaj diplomohen në universitete amerikane me diploma në këto fusha. Ne nuk u ofrojmë mundësinë të qëndrojnë. Nuk ka mençuri në këtë lloj politike, kur e dimë se po arsimojmë më të mirët, 300 mijë prej tyre, dhe pastaj i dërgojmë në shtëpitë e tyre që të na konkurojnë”, thotë zoti Burke.

Ai shpreson se urdhëri ekzekutiv i Presidentit Trump për rishikimin e programit H1B, do të rrisë numrin vjetor të vizave, përpara se këta persona të largohen nga SHBA-ja.

“Puna bëhet gjithnjë e më shumë në lëvizje. Kompanitë thonë se nëse nuk e bëjnë dot punën këtu, do të shkojnë gjetiu”, thotë zoti Burke.

Kjo i ndodhi edhe Pete Tapaskar. Firma e tij u ble nga një kompani tjetër që e zhvendosi punën në Indi.

Ai mbështet udhërin ekzekutiv të Presidentit Trump për reformimin e programit H1B, me shpresën se do të ulë keqpërdorimin e tij. Zoti Tapaskar dhe shumë të tjerë janë të shqetësuar që shumica e këtyre vizave u jepen kompanive të mëdha që ofrojnë rroga të larta, duke përjashtuar kështu kompanitë e vogla me të cilat ai punon.

“Këto viza duhet të bëhen të disponueshme për të gjithë sektorët. Duhet të ndërlidhen me programet e trajnimit. Për momentin, Amerikës i mungon infrastruktura për trajnimin.”

Autoritetet amerikane të emigracionit thonë se gjatë këtij viti janë paraqitur 200 mijë aplikime për vetëm 85 mijë vizat e disponueshme H1B, fituesit e të cilëve zgjidhen nëpërmjet lotarisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG