Lidhje

Takimi Rama-Basha, pa marrëveshje


Në Shqipëri takimi i parë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha për zgjidhjen e krizës politike nuk ka sjellë asnjë marrëveshje mes palëve, ndërsa palët kanë lënë të hapura mundësitë për të vijuar përpjekjet për gjetjen e një kompromisi. I sigurt është fakti se çështja e qeverisë teknike për të cilën këmbëngul opozita, vazhdon të jetë pika e pakapërcyeshme nga të dy përfaqësuesit e lartë politik

Kriza, Takimi Rama-Basha pa rezultat
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Në zyrat e Presidencës, ku me ftesë të kreut të Shtetit ishte fiksuar takimi i sotëm, mbërriti i pari kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Me në krah po kreun e grupit të tij parlamentar Edi Paloka, pak më vonë mbërriti edhe drejtuesi i opozitës Lulzim Basha. Takimi mes tyre zgjati tre orë, gjatë së cilave, sipas një komunikate të shkurtër nga Presidenca, ata “prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj”.

Por nëse pikëpamjet e palëve janë të qarta prej kohësh dhe me dallime të forta, për të diskutuar rreth rrugëve të zgjidhjes duket se si bazë ka shërbyer platforma e paraqitur javën e shkuar nga eurodeputeti David McAllister në Tiranë, së bashku me kolegun e tij Knut Fleckenstein. Një platformë e cila përmban propozime për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, ndryshime në qeveri dhe ndërhyrje të tjera të karakterit teknik që ofrojnë më shumë garanci për opozitën.

Burimet nga takimi shpjegojnë se oferta e kryeministrit ishte më e ulët se ajo e propozuar nga zoti McAllister. Edhe në fjalën e mbajtur në mbrëmje në çadrën e protestës përpara godinës së Qeverisë, kreu i opozitës deklaroi se “kemi ofruar sot në tavolinë gjithshka që PD dhe opozita mund të ofrojë për zgjidhje. Pala tjetër është tërhequr dhe nga propozimet e javës së kaluar që vetë i loboi”. Por dhe ato propozime të platformës McAllister, sipas zotit Basha “në vetvete ishin shumë më pak se ç’mund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë”. Ndërkohë që për presidentin e Partive popullore europiane, Joseph Daul, i cili mbrëmë, ndërhyri në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, përmes një videokonference, “kompromisi i propozuar nga nënpresidenti i EPP-së, David McAllister, vendosi prioritetet e duhura për të siguruar që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, shpjegoi se gjatë takimit me zotin Basha “kam propozuar atë çka besoj shumë se adreson problemet objektive, pra një monitorim si asnjëherë më parë të të gjithë strukturave të shtetit, të policisë, drejtorive rajonale të arsimit dhe sistemit arsimor e të burgjeve ku janë dhe pikat që kanë qenë vazhdimisht pika të adresuara si problematike në raportet e mëparshme të ODIHR-it si dhe një rregullore të dakortësuar për mënyrën se si duhet të shmanget qoftë përdorimi i aseteve shteërore në fushatë, qoftë dhe një kategorie të caktuara aktivitetesh qeveritare që nuk duhen përdorur për fushatë. Më shumë se kaq nuk ka”, u shpreh zoti Rama duke saktësuar se “datën e zgjedhjeve nuk e shtroj për diskutim”. Kryeministri deklaroi se mes palëve nuk është folur për një mundësi të dytë takimi, ndërsa shtoi se “do të gjejmë kohën për të diskutuar deri kur të nisë shtypja e fletëve të votimit. Jemi të gatshëm për t’i ofruar Partisë demokratike një hapësirë për t’u rregjistruar nëse ajo dëshiron të përfshihet në këtë proces zgjedhor”.

Por çështja e kërkesës për një qeveri teknike dhe votim elektronik, mbetet pika e pakapërcyeshme. Ka qenë kjo pikë që i ka dhënë fund bisedimeve të sotme, por mesa duket, jo përpjekjeve për një rrugëdalje. Në deklaratën e presidencës, theksohet se Kreu i Shtetit “vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi”.

Tanimë duket se në lojë kanë hyrë sërish përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, të cilët duan të shmangin mospjesmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit. Menjëjherë pas përfundimit të takimit me zotin Rama, ndërsa ishte ende në mjediset e presidencës, zoti Basha mësohet të ketë patur një tjetër telefonatë të gjatë me zotin Daul. Ndërkohë që pasdite, kryeministri Edi Rama pati një takim me ambasadorët kryesorë në Shqipëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG