Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Korenë e Jugut


Presidenti amerikan Donald Trump mund të jetë një faktor i rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale të Koresë së Jugut me 9 maj. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, njofton nga Seuli se kritikat e zotit Trump për aleantin e rëndësishëm ushtarak në Azi po nxisin debate duke shtuar mbështetjen për kandidatin presidencial që kundërshton politikën e ashpër amerikane ndaj Koresë së Veriut.

Mbështetësit e Moon Jae-in ndjehen fitimtarë. Kandidati i Partisë Liberal Demokrate të Koresë është në avantazh me 20 për qind ndaj rivalëve, sipas anketës së fundit.

Mbështetja për të u shtua pasi Moon Jae-in e kundërshtoi kërkesën e zotit Trump që Koreja e Jugut të paguajë 1 miliard dollarë për sistemin e mbrojtjes me raketa THAAD.

Song Jung-Bin është me Partinë Demokrate të Koresë.

“Partia jonë mendon se shpenzimet për sistemin e raketave duhen rinegociuar, sikurse ka vepruar edhe qeveria e mëparshme.”

Kandidati mbështet aleancën me Shtetet e Bashkuara por argumenton se politikat amerikane që theksojnë vetëm presionin ushtarak dhe sanksionet nuk do ta zgjidhin kërcënimin bërthamor nga Pheniani.

Zoti Moon kërkon të zbusë tensionet përmes dialogut duke bërë thirrje për shtyrjen e dislokimit të raketave THAAD që ka shkaktuar shqetësime për sigurinë dhe hakmarrje ekonomike nga Kina në turizëm dhe importe.

Kundërshtari liberal Ahn Cheol-soo me Partinë Popullore, ka një pozitë më pro-amerikane ndaj raketave THAAD dhe mbrojtjes, ndërsa mbështetja për të ka rënë, madje edhe pse ai kundërshtoi ashpër kërkesën e zotit Trump për të paguar 1 miliard dollarë.

Konservatorët, të udhëhequr nga kandidati Hong Joon-pyo i partisë “Liberty Korea” kanë patur vështirësi që të rifitojnë besimin e publikut pas shkarkimit të ish presidentes Park Guen-hye nën akuzat për korrupsion. Pikërisht ky shkarkim çoi në zgjedhje të parakohëshme.

Përkrahësit e zotit Hong thonë se mbështetja e kandidatit për sistemin e mbrojtjes THAAD dhe dislokimin e armëve bërthamore në Korenë e Jugut do të fitojnë mbështetjen e shumicës së heshtur që është pro sigurisë kombëtare, por që është anashkaluar nga media liberale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG