Lidhje

Rikthehen plantacionet e mbjella me marijuanë në Vlorë


Në Vlorë nisën të shfaqen vatrat e para të mbjella me marijuanë për këtë vit ndërkohë që në shumë zona në jug të Shqipërisë është rikthyer shqetësimi për kultivmin e drogës. Policia e Vlorës tha të hënën se në bashkëpunim me repartin policor “Delta Force” dhe Prokurorinë e Vlorës shkatërruan me anë të djegies rreth 340 bimë marijuane dhe bllokuan rreth 40 kilogramë marijuanë të presuar në një automjet që udhëtonte në aksin rrugor Kotë-Drashovicë. Policia publikoi foto nga operacionet ku bimët e marijuanës të mbjella në sipërfaqe kullosore shkonin nga 20 cm deri në 1 metër. Policia tha se ka proceduar penalisht 4 zyrtarë në Shërbimin Pyjor dhe Njësitë Administrative dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë tha se në bashkëpunim me të gjitha agjensitë e tjera ligjzbatuese do të kryejë kontrolle nga toka si dhe nga ajri me helikopterë, me qëllim zbulimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike. Vlora është një nga epiqendart e kultivimit dhe transportimit të lëndëve narkotike drejt Italisë. Trafiku i marijuanës me mjete të shpejta lundrimi përmes hapësirës detare është rritur ndjeshëm muajt e fundit duke rritur edhe dukuritë kriminale. Disa raste të gjetjes së disa viktimave të mbytura në ujë dyshohet se i përkasin aktivitetit të trafikut, ndërkohë që edhe policia italiane ka vënë në pranga muajt e fundit rreth 30 skafistë nga Vlora që janë akuzuar për transportimin në brigjet italiane të tonelatave me marijuanë.

Misione të shtuara fluturimi për zbulimin e marijuanës

Autoritet shqiptare dhe italiane u takuan të hënën në Tiranë për të koordinuar misionet e fluturimeve që do të monitorojnë territorin shqiptar, në kuadër të zbatimit të protokollit për zbulimin e vatrave të mbjella me marijuanë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë shqiptare autoritetet italiane kanë deklaruar se janë të gatshëm të kryejnë 30% më shumë fluturime se vitin e kaluar. Autoritetet italiane kanë pohuar se falë teknologjisë së avancuar është reduktuar edhe koha në përpunimin e të dhënave duke mundësuar koordinimin për ndërhyrje të shpejta policore në terren. Sipas raportit vjetor të policisë shqiptare gjatë vitit 2016 Roja bregdetare italiane “Guardia di Finanza” i përcolli Policisë shqiptare 27 raporte monitorimi nga ajri, ku ishin evidentuar 2.086 parcela me narkotikë. Policia shqiptare tha se nga këto koordinata ishin verifikuar në terren 99.8% e tyre, dhe u asgjësuan rreth 740 mijë bimë narktoike, të cilat sipas autoriteteve shqiptare përbënin rreth 30 % të totalit të bimëve narkotike të asgjësuara në Shqipëri. Por Analistë të shtypit i vunë në dyshim shifrat e verifikimit në terren dhe asgjësimit të bimëve narkotike pas zbulimit të disa dhjetëra tonëve marijuanë si në territorin shqiptar dhe në brigjet italiane në muajt që pasuan vjeshtën e vitit të shkuar kur u raportuan të dhënat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG