Lidhje

Shtëpia e Bardhë shtyn takimin për klimën


Shtëpia e Bardhë shtyu për herë të dytë një takim të rëndësishëm për çështjen nëse Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga pakti ndërkombëtar i Parisit për ndryshimet klimatike, pakt i mbështetur nga ish-presidenti Barak Obama.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Donald Trump deklaronte se do ta anulonte përfshirjen e SHBA në marrëveshjen e arritur nga 196 vende, por pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, qëndrimi i tij është lëkundur.

Ndihmësit thonë se ai po ecën drejt marrjes së një vendimi për çështjen nëse duhet respektuar marrëveshja e vitit 2015 që synon të frenojë çlirimin e gazeve serrë dhe zbutjen e ngrohjes globale, duke përfshirë një premtim të SHBA për të pakësuar ndotjen gjatë dekadës së ardhshme. Por Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka për të njoftuar ndonjë vendim para se Presidenti Trump të kthehet nga samiti i udhëheqësve të 7 vendeve të pasura në fund të muajit maj në Siçili.

Shtetet e Bashkuara janë ndotësi i dytë më i madh në botë pas Kinës, dhe tërheqja nga marrëveshja do të kufizonte ndjeshëm ndikimin global të paktit të Parisit. Ish Presidenti Obama dhe presidenti kinez Xi Jinping luajtën rol kyç në arritjen e paktit.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, ish-shef i kompanisë së naftës ExxonMobil, mbështet idenë që SHBA të qëndrojnë në marrëveshje, ndërsa Scott Pruitt, administrator i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, thotë se "kjo është një marrëveshje e keqe për Amerikën", që do t’u kushtonte SHBA humbjen e vendeve të punës.

Vetë zoti Trump e ka quajtur më parë ndryshimin e klimës një mashtrim të shpikur nga Kina.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG