Policia vendore e Lezhës gjeti të enjten 9 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë bashkë me materiale të tjera, që shërbenin për përgatitjen e tyre. Gjatë operacionit të koduar “Etalon” u arrestuan Franko Çinari, 21 vjeç, dhe Stavri Kotorri, 18 vjeç. Policia thotë se është në kërkim të një 30 vjeçari me inicialet E.T. Minat me telekomandë u gjetën nga policia në çantën sportive me të cilën po lëvizte njëri prej të arrestuarve.
Zyrtarët e policisë thonë se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal dhe se po punohet për zbulimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tyre si dhe qëllimin ku do të përdoreshin minat.
Dy të arrestuarit dhe personi i tretë i shpallur në kërkim janë banorë të Tiranës.
Njëri nga të arrestuarit është 18 vjeçari Stavri Kotorri nga Tirana, djali i një biznesmeni ndërtimesh, ekzekutuar me armë zjarri katër vite më parë në oborrin e pallatit të tij, në Tiranë, ngjarje kjo ende e pa zbardhur plotësisht.
Minat e telekomanduara janë përdorur vitet e fundit në disa ngjarje të rënda kriminale, duke përfshirë kërcënime dhe vrasje të biznesmenëve dhe gjyqtarëve, por edhe në akte të cilësuara nga policia si terroriste.
Facebook Forum