Lidhje

Ndërtimet pa masë kërcënojnë vlerat historike të qytetit antik të Kotorit


Qyteti-port i Malit të Zi ka fituar statusin e njërës prej qendrave të trashëgimisë botërore të UNESCO-s për bukurinë e një qyteti mesjetar të ruajtur mirë. Por fama botërore e Kotorrit është bërë burim shqetësimesh vitet e fundit. Ndërtimet pa kriter po rrezikojnë tani ta lënë në hije bukurinë dhe reputacionin e njërit prej destinacioneve kryesore turistike të botës.

Kotorri është një prej qyteteve të ruajtura më mirë në brigjet e Adriatikut. Klima e butë gjatë të gjithë vitit dhe pejsazhi natyror spektakolar ja shtojnë tërheqjen për turistët. Çdo vit qytetin e vizitojnë rreth 1 milion vetë dhe një numër përherë e më i madh njerëzish duan të jetojnë atje. Kjo është arsyeja që në Kotor vihet re një shpërthim i ndërtimit të shtëpive të reja. Kjo i ka zemëruar banorët e vjetër të qytetit.

"Shtëpitë e reja janë si grataçiela me taraca betoni, si ai i varreve,”- thotë Olivera.

Ndërtesat moderne prej betoni tani i kanë mbuluar brigjet e Malit të Zi dhe i lënë në hije pallatet antike. Kjo e shtyu UNESCO-n ta paralajmërojë Kotorrin, që ta ndreqë këtë problem, në se dëshiron të vazhdojë të mbetet në listën e trashëgimisë borëtore të OKB-së.

"Komiteti i UNESCO's për trashëgiminë botërore që nga viti 2003 paralajmëron për pasojat negative të këtij urbanizimi të tepruar, kërkon që ky proces të ndalet dhe të vendosen mekanizma mbrojtëse për këtë zonë.”

Në muajin shkurt, qeveria e Malit të Zi urdhëroi ndalimin e përkohshëm të ndërtimeve në Kotor, një vendim zbatimi i të cilit filloi në prill, siç duket pikërisht në kohën e duhur për të shmangur fillimin e një procedure për ta hequr qytetin nga lista e UNESCO-s.

Pak para hyrjes në fuqi të këtij vendimi më 5 prill, autoritetet lejuan ndërtimin e disa komplekseve të mëdha turistike në qytet, gjë që nxiti një debat lokal. Kryetari i Bashkisë Vladan Jokic i lidh ndërtimet pa masë me korrupsionin dhe nepotizimin:

"Kemi ndërtime që kanë filluar më parë në territorin e Kotorrit nga individë dhe familje të privilegjuara, megjithëse ekspertët kanë paralajmëruar që në këtë zonë të mos ketë ndërtime të reja.”

Gjatë dekadës së fundit, Mali i Zi e realizoi thuajse një të katërtën e të prodhimit ekonomik përmes turizmit dhe zhvillimit të tregut të pasurive të patundshme përgjatë 300 kilometrave të brigjeve të Adriatikut që ka ky vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG