Lidhje

SHBA rithekson angazhimin për të mbrojtur Turqinë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis ripërsëriti qëndrimin për të mbrojtur Turqinë.

Deklarata vjen në një kohë kur autoritetet turke kanë kundërshtuar një vendim të kohëve të fundit të Shteteve të Bashkuara për të armatosur luftëtarët sirianë kurdë, në një përpjekje për të rrëzuar militantët e Shtetit Islamik në Raka

Zoti Mattis ritheksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatit të saj të NATO-s pas një takimi të enjten me kryeministrin turk Binali Yildirim. Këto janë bisedimet e para të nivelit të lartë mes të dy vendeve që kur Uashingtoni shpalli të martën planin për t’u siguruar armë kurdëve sirianë të mbështetur nga SHBA, të njohur edhe si YPG.

Turqia e ka kundërshtuar fuqimisht vendimin dhe ka bërë thirrje për anulimin e tij. Ajo beson se YPG është një grup terrorist, pjesë e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që konsiderohet si një grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Të mërkurën, kryeministri Yildirim kritikoi publikisht vendimin dhe tha se SHBA nuk mund të përdorë një grup terrorist për të luftuar një tjetër.

Zoti Yildirim dhe zoti Mattis u takuan të enjten përpara fillimit të një konference ndërkombëtare në Londër për çështje të sigurisë dhe humanitare në Somali.

Një zyrtar i lartë amerikan që nuk u identifikua tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të rrisin bashkëpunimin me Turqinë në shkëmbim të informacioneve të zbulimit, për ta ndihmuar vendin për një goditje më efikase të terroristëve.

Zyrtarët amerikane shpresojnë që kjo lëvizje të ndihmojë në zbutjen e shqetësimeve turke se armët do të përfundojnë në duart e armiqve të saj.

Ata thanë gjithashtu se armët nuk u janë dërguar ende kurdëve. Të mërkurën koloneli amerikan Xhon Dorrian tha se megjithatë, dërgesa e parë është e gati dhe se mund mund t’u shkojë kurdëve "shumë shpejt".

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili i ka kërkuar SHBA-së të anulojë vendimin, pritet të vizitojë Uashingtonin të martën e ardhshme. Zoti Erdogan ka thënë se ai do ta diskutojë këtë çështje me presidentin amerikan Donald Trump kur të takohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG