Lidhje

SHBA: Trump shkallëzon përplasjen me shefin e shkarkuar të FBI-së


Presidenti Donald Trump e ka përshkallëzuar përplasjen me ish drejtorin e FBI-së James Comey, duke nënkuptuar se ekzistojnë regjistrime të fshehta të një prej bisedave të tyre private në fillim të këtij viti.

Presidenti i referohet një darke në Shtëpinë e Bardhë mes tij dhe zotit Comey ku është përqëndruar dhe pjesa më e madhe e polemikave.

Në një koment të bërë sot në Twitter, Presidenti Trump shkruante: "James Comey më mirë të shpresojë se nuk ekzistojnë ‘regjistrime’ të bisedave tona, përpara se të përhapë informacione në shtyp!"

Shtëpia e Bardhë mohoi se fjala ishte për ndonjë kërcënim ndaj zotit Comey.

Në komentet që bëri të premten për rrjetin MSNBC, ish-Drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper, tha se ai nuk kishte dijeni nëse ka patur ndonjë bashkëpunim mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe zyrtarëve rusë. Ai tha e nuk mund të kishte dijeni, pasi kjo çështje është kompetencë e FBI-së.

Zoti Clapper tha se praktika e tij ka qenë gjithmonë që ta lërë në dorë të FBI-së "nëse i duhet thënë presidentit, apo se kur dhe çfarë i duhet thënë rreth një operacioni kundërzbulimi.”

Pohimet e tij bien ndesh me një koment të bërë me Twitter nga Presidenti Trump, ku ai thotë se zoti Clapper nuk beson se ka ekzistuar ndonjë bashkëpunim (me zyrtarët rusë).

Të martën, presidenti shkarkoi zotin James Comey nga detyra e shefit të FBI-së në një kohë kur ai po drejtonte një hetim mbi pretendimet për ndërhyje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 si dhe mbi një bashkëpunim të mundshëm mes Moskës dhe njerëzve të fushatës së zotit Trump.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë këmbëngulin se shkarkimi nuk ka të bëjë me hetimin, ndonëse presidenti duket se ka dëmtuar besueshmërinë e këtij pohimi me komentet e tij gjatë një interviste televizive të dhënë të enjten.

SI NISI PËRPLASJA

Presidenti Donald Trump la të kuptohej të premten se mund të ketë regjistrime të bisedave që kishte zhvilluar privatisht me drejtorin e FBI-së, James Comey, të cilin ai e shkarkoi të martën.

Në një koment paralajmërues ndaj ish-drejtorit të FBI-së, presidenti tha të premten se James Comey bën mirë “të lutet që të mos ketë regjistrime të bisedës” mes tyre.

Presidenti e bëri komentin përmes një postimi në Twitter, të premten në mëngjes, një ditë pasi kishte deklaruar se ish-drejtori i FBI-së e kishte siguruar tre herë se nuk ishte objekt hetimesh nga FBI-ja.

Komentet e zotit Trump duket se janë një paralajmërim ndaj zotit Comey që ai të mos nxjerrë në shtyp hollësi nga bisedat me presidentin.

AKUZA DHE KUNDËRAKUZA NË UASHINGTON

Akuza dhe kundërakuza kanë përshkuar Uashingtonin këto ditë që pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së James Comey, në lidhje me motivet e presidentit për këtë masë dhe statusin e procesit hetimor mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Të enjten, në një seancë me pyetje përgjigje në Senat, zëvendësi i zotit Comey që tani ka marrë rolin e drejtorit në detyrë për FBI-në, i doli kundër versionit të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me respektin dhe besimin që gëzonte personeli i FBI-së për zotin Comey:

Shtëpia e Bardhë ka ofruar një numër shpjegimesh në lidhje me vendimin për të shkarkuar zyrtarin që kryesonte hetimet mbi Rusinë.

“Ai nuk po bënte punë të mirë,” tha presidenti.

“Stafi i FBI-së kishte humbur besimin tek drejtori,” tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Këtyre deklaratave u kundërvihet zyrtari që tani ka marrë detyrën e zotit Comey:

“Drejtori Comey gëzonte dhe vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë në FBI,” tha drejtori në detyrë, Andrew McCabe.

Senatorët kishin një numër pyetjesh në lidhje me letrën e presidentit, ku Donald Trump thotë se në tre raste të veçanta drejtori i FBI-së e kishte informuar se zoti Trump nuk ishte nën hetime në lidhje me rolin e Rusisë në zgjedhje:

“A është praktikë e rregullt pune e FBI-së që të informojë individë se nuk janë nën hetime?” - pyet Senatorja republikane, Susan Collins.

“Nuk jam në dieni të një praktike të tillë,” përgjigjet zoti McCabe.

Në një intervistë për rrjetin NBC, presidenti iu përmbajt variantit të tij:

“Në fakt e pyeta Comey-n. I thashë ‘Po të jetë e mundur, a mund të ma bësh të ditur nëse jam nën hetime?’ Ai më tha ‘Nuk je nën hetime,’” thotë Presidenti Trump.

REAGIMI I DEMOKRATËVE DHE REPUBLIKANËVE

Ndërkaq, revoltimi i demokratëve pas kësaj mase ndjehet qartë:

“Zoti Comey po drejtonte një proces aktiv hetimesh të kundërzbulimit për të mësuar nëse ka pasur lidhje mes individëve që punonin për fushatën Trump dhe qeverisë ruse apo përfaqësuesve të saj. Është vështirë t’i shpëtosh konkluzionit se vendimi i presidentit për të shkarkuar Drejtorin Comey kishte lidhje me këto hetime. Dhe kjo do të ishte e papranueshme,” thotë Senatori demokrat Mark Warner.

Edhe disa republikanë kanë ngritur pyetje për momentin e zgjedhur për ta shkarkuar zotin Comey, por shtojnë se presidenti gëzon autoritet të plotë për këto masa. FBI-ja këmbëngul që hetimet vazhdojnë:

“Puna e punonjësve të FBI-së vazhdon pavarësisht nga ndryshimet në rrethana,” thotë zoti McCabe.

James Comey do të dëshmonte dje para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit mbi hetimet e FBI-së për kundërzbulimin. Pasi u shkarkua të martën, tani ai është thirrur të dëshmojë javën e ardhshme, në një seancë me dyer të mbyllura, ku do të paraqitet si qytetar i thjeshtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG