Lidhje

Maqedoni, Zoran Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë


Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov i dorëzoi të mërkurën mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev. Ashtu siç kishte kërkuar presidenti për disa muaj me radhë, i shqetësuar për shkak të asaj që e quante “platformë e Tiranës”, mandatari Zaev ka garantuar edhe një herë ruajtjen e karakterit unitar të vendit, sovranitetit dhe tërësisë tokësore të tij. Partia rivale, VMRO-DPMNE është shprehur se do ta vëzhgojë me vigjilencë punën e zotit Zaev. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar pret formimin e shpejtë të qeverisë.

Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Presidenti Ivanov duket se iu bind më në fund trysnive të shumta brenda vendit nga qarqe politike dhe akademike dhe kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për të respektuar kushtetutën e vendit.

I mandatuari për kryeministër, Zoran Zaev dy herë i kishte dërguar letër zotit Ivanov duke i garantuar atij se do të ruhet karakteri unitar i vendit, sovraniteti, tërësia territoriale, që i kishte vënë si kusht presidenti maqedonas që nga shpallja e shumicës së re parlamentare, para pak muajsh.

Presidenti Ivanov u tha gazetarëve se tashmë “u shmangën pengesat për dhënien e mandatit”.

Ndërkaq, Zoran Zaev tha se pret që brenda një kohe shumë të shpejtë të formojë qeverinë. “Zotohem që qeveria e re reformatore do të ndërtojë një Maqedoni qytetare, evropiane dhe me karakter unitar. Të gjitha forcat do t’i drejtojmë kah ndërtimi i shtetit ligjor, të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët” - tha ai, duke nënvizuar respektimin e karakterit shumetnik dhe të Marrëveshjes së Ohrit si dhe synimin e integrimit Euro-Atlantik të vendit.

Ai bëri thirrje për lënien mënjanë të dallimeve, izolimit, urrejtjes, padurimit dhe politikave shkatërruese “që na dëmtuan jetën”, siç u shpreh ai. Zoti Zaev tha se dita e sotme është një fillim i ri për Maqedoninë.

Zoran Zaev ka në disponim njëzet ditë për formimin e kabinetit qeveritar dhe për dorëzimin e programit qeverisës para ligjvënësve në parlament.

Sipas pritjeve, partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët janë të sigurta se do të jenë pjesë e koalicinit të ri qevritar, ndërsa Lëvizja Besa ende nuk e ka shprehur qëndrimin përfundimtar. Pa këtë të fundit, shumica parlamentare ka 62 vota në parlament, të mjaftueshme për miratimin e qeverisë.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është shprehur se “do të veprohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe kthim mbrapa nuk ka”. Sipas një komunikate të lëshuar nga partia, thuhet: “Rolin tonë kyç, përcaktues dhe vendimtar në shumicën e re do ta vëmë në shërbim të reformave në përputhje me pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar, marrë​dhënie të mira ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit si dhe integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian bashkë me hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik”.

Vendimi i presidentit Ivanov u mirëprit nga shefja e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Federica Mogherini dhe nga Komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn. Ata theksojnë në një komunikatë të përbashkët se shpresojnë që “kjo frymë konstruktive do të vazhdojë të mbretërojë në mënyrë që vendi të dalë përfundimisht nga kriza politike”. Ata u bëjnë thirrje partive politike që të punojnë së bashku në axhendën e reformave për ta kthyer vendin në rrugën e integrimit euro-atlantik. “Këtë duan dhe e meritojnë qytetarët”, shkruajnë zyrtarët e lartë evropianë.

Ambasada amerikane në Shkup e cilëson një arritje të madhe për Maqedoninë dhe popullin e saj që procesi i formimit të qeverisë po kalon në një fazë tjetër. "Presim të bashkëpunojmë me qeverinë e re pasi të jetë formuar dhe shpresojmë që kjo të bëhet shpejt", thuhet në një komunikatë të ambasadës amerikane, e cila thekson reformat urgjente që Maqdonia duhet të bëjë për të shkuar përpara në rrugën e integrimit euro-atlantik.

Kriza dy vjeçare e shoqëruar me trazira dhe pasiguri, ka dëmtuar synimet e këtij vendi ballkanik për t’u integruar në familjen evropiane. Maqedonia mori statusin si ‘vend kandidat për anëtarësim në BE’ qysh në dhjetor të vitit 2005, por prej atëherë nuk ka shënuar ndonjë përparim në rrugën e integrimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG