Ziadin Sela, kryetar i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, iu rikthye të hënën veprimtarive politike, pas plagëve që mori gjatë sulmit në parlamentin e Maqedonisë, më 27 prill.
Para selisë së partisë në Tetovë, zoti Sela u prit nga dhjetra mbështetës dhe aktivistë. Tashmë në gjendje të mirë shëndetësore, ai falënderoi ata që u solidarizuan me të pas dhunës në parlament.
Zoti Sela e quajti sulmin atentat jo vetëm ndaj tij por edhe ndaj nevojave jetike të shqiptarëve:
“Ishte atentat ndaj artikulimit politik të këtyre reformave, që ne si Lëvizje për Reforma i kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne na vranë më 27 prill dhe ne u ringjallëm përsëri më 27 prill. Ne do të vazhdojmë që nevojat e shqiptarëve këtu në Maqedoni t’i artikulojmë politikisht akoma më fuqishëm”, u shpreh Z. Sela.
Drejtuesi i LR-PDSH-së dhe Aleancës për Shqiptarët, e shikon dhunën e 27 prillit në parlament si vazhdë të asaj që ai e quajti “procese të montuara ndaj shqiptarëve”. Ai bëri thirrje për zgjidhje të shpejtë nga organet gjyqësore.
“27 prilli është gjëma e fundit që u ka ndodhur shqiptarëve. Përpara se të arrij 27 prillin, unë do të kërkoj përgjegjësi politike për Sopotin. Shqiptarët e Sopotit duhet të lirohen dhe në vend të tyre në burg të hyjnë ata të cilët i montuan. Përpara përgjegjësisë politike dhe individuale në aspektin e së drejtës, për 27 prillin, unë do të kërkoj që të lirohen sa më shpejt dhe të zbardhet procesi politik i ‘Monstrës’, i vrasjes së Harun Aliut dhe shumë procese të montuara politike”, theksoi kryetari i LR-PDSH-së.
Me t’iu kthyer aktiviteteve politike, partia e zotit Sela fillon edhe bisedimet me Lidhjen Social Demokrate për formimin e kabinetit qeveritar. Ai nuk ka kërkuar që Aleanca për Shqiptarët të jetë me çdo kusht pjesë e qeverisë së re, ndonëse ajo ka një rol kyç tek shumica e re parlamentare:
“Jemi për qeverisje të re dhe qeverisja e re do të ketë përkrahjen tonë. Pak rëndësi ka a do të jemi ne fizikisht prezent pjesë e qeverisë ose jo. Ndonëse, për këtë do të duhet të marrin vendim organet e partisë”, tha z. Sela.
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev shkoi në Tetovë për të biseduar me zotin Sela, ndërsa shprehu kënaqësi për rrjedhën e bsedimeve me partitë tjera për formimin e qeverisë së re.
Të martën priten bisedime lidhur me ndarjen e posteve qeveritare.
Facebook Forum