Departamenti amerikan i Shtetit dënoi përsëri veprimet e personelit turk të sigurisë gjatë vizitës në Uashington të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan javën e kaluar.
Komentet erdhën pasi Turqia thirri ambasadorin e SHBA në Ankara lidhur me incidentin.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha: "Siç kemi theksuar më parë, sjellja e personelit turk të sigurisë javën e kaluar ishte thellësisht shqetësuese. Departamenti i Shtetit i ka ngritur në nivelet më të larta shqetësimet e tij në lidhje me ngjarjen”.
Ajo konfirmoi se ambasadori i SHBA në Turqi u thirr në Ankara për të diskutuar ato që ajo i quajti "incidente të dhunshme, në të cilat u përfshinë protestues dhe personeli turk i sigurisë".
Turqia tha se e thirri ambasadorin për të protestuar ndaj atij që e quajti trajtim "agresiv" kundrejt personelit turk të sigurisë.
Thirrja e ambasadorit nga pala turke duket se u bë në përgjigje të kritikës së fortë të SHBA ndaj personelit turk të sigurisë, i cili me sa duket sulmoi demonstruesit në Uashington javën e shkuar. Shtetet e Bashkuara thirrën ambasadorin turk pas ngjarjes.
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson i tha rrjetit Fox News të djelën se ambasadorit të Turqisë iu komunikua të martën se dhuna ishte "thjesht e papranueshme".
Facebook Forum