Lidhje

Shkup, dënime me kusht për dhunën në parlament


Gjykata Themelore në Shkup u caktoi dënimin me kusht nëntë të akuzuarve të përfshirë në ngjarjet e dhunshme në parlament, më 27 prill.

Tetë nga të akuzuarit kushtëzohen të mos kryejnë vepra penale brenda një viti, në të kundërtën do të vuajnë burg prej gjashtë muajsh, ndërsa njërit iu caktua masa me kusht prej 1 viti e gjysmë nëse brenda një afati prej pesë vitesh e përsëritë veprën penale.

Të gjithë të akuzuarit e kanë pranuar fajin dhe janë penduar për veprën e kryer; kanë shprehur keqardhje për të dhe janë penduar. Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se turma i kishte marrë përpara dhe se nuk ishte synim i tyre të hynin në parlaement. Avokatët e tyre janë shprehur të kënaqur me masat alternative të gjykatës.

Derisa zhvillohej gjykimi, shoqata nacionaliste maqedonase që e quajnë veten “patriotike” qëndronin jashta gjykatës dhe i pritën me brohoritje të akuzuarit.

Njohës të së drejtës e kanë cilësuar vendimin e gjykatës si skandaloz. Ndërkaq, Lidhja Social Demokrate e quajti këtë “një ditë të zezë në historinë e gjyqësorit të Maqedonisë”.

Deri tash, vetëm dy persona nga bandat e sulmuesve janë akuzuar për veprën penale ‘tentativë për vrasje’ ndaj deputetit Ziadin Sela. Zoti Sela ishte ndër më të lënduarit e ngjarjeve të përgjakshme, ndërsa lëndime morën edhe ligjvënës të Lidhjes Social Demokrate, përfshirë mandatarin për formimin e qeverisë, Zoran Zaev.

Gjyqësori në Maqedoni vlerësohet si ndër më të korruptuarit dhe një numër gjykatësish akuzohen për lidhje të afërta me partinë VMRO-DMNE, e cila e mbajti pushtetin për njëmbëdhjetë vjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG