Trafiku i refugjatëve sirianë që hyjnë nga territori grek drejt Shqipërisë po rritet me përmirësimin e motit dhe riaktivizimin e rrjeteve të trafikut. Policia e Gjirokastrës dhe Korçës kanë ndaluar shtatë refugjatë nga Siria ndërsa gjashtë të tjerë u bllokuan nga policia greke në zonën verilindore greke në kufi me Shqipërinë.
Policia greke i zbuloi refugjatët në një segment rrugor në afërsi të Kozanit, ndërsa një shtetas shqiptar që po i transportonte ata drejt territorit shqiptar u arrestua. Policia e Gjirokastrës tha se e bllokoi grupin tjetër të refugjatëve sirianë në Polican, buzë kufirit me Greqinë, duke arrestuar edhe një person që kishte siguruar transportin në një segment të shkurtër rrugor.
Policia greke njoftoi gjithashtu për arrestimin e një tjetër shtetasi sirian që akuzohet për përfshirje në një grup që trafikonte marijuanë drejt territorit grek. Sipas policisë greke 29 vjeçari sirian bashkëpunonte me një grek dhe një rumun për trafikimin e sasive të mëdha të marijuanës. Policia greke tha se tre të arrestuarve u janë bllokuar rreth 150 kilogramë marjuanë që po transportohej me një automjet nga zonat afër kufirit shqiptar për në thellësi të territorit grek. Nga hetimet e policisë greke mësohet se autorët janë anëtarë të një rrjeti të trafikut të drogës, ndërsa makina që ishte ngarkuar me drogë rezultoi e vjedhur dhe me targa të falsifikuara.
Trafiku i refugjatëve u rrit në 2016
Sipas të dhënave policore kufitare shqiptare, trafiku i refugjatëve drejt Shqipërisë u rrit në vitin 2016. Rreth 915 refugjatë nga vende të ndryshme u bllokuan në pikat kufitare shqiptare. Numri më i madhi refugjatëve të bllokuar u shënua në vjeshtë ndërsa për nga kombësia shtetasit nga Siria zunë pjesën dërrmuese të refugjatëve të bllokuar, rreth 310 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë. Refugjatët sirianë me të hyrë në territorin shqiptar kërkojnë azil dhe trajtohen në një qendër të posaçme në Tiranë. Sipas të dhënave policore shqiptare në vitin 2016, numri i refugjatëve azilkërkues në Shqipëri u rrit në rreth 200 nga 134 persona që ishte në vitin 2014 dhe 106 persona në vitin 2015.
Facebook Forum