Rojet Revolucionare të Iranit ia hodhën fajin Arabisë Saudite për dy sulme terroriste të ndërmarra të mërkurën në objekte simbolike të Teheranit.
"Sulmi terrorist ndodh vetëm një javë pas takimit midis presidentit të SHBA dhe udhëheqësve të prapambetur (sauditë) që mbështesin terroristët. Fakti që Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë dëshmon se ata ishin të përfshirë në sulmin brutal", thuhet në deklaratë.
Grupi Shteti Islamik thotë se është përgjegjës për sulmet që kanë lënë të paktën 12 të vdekur dhe 42 të tjerë të plagosur në Parlamentin e Iranit dhe në një vend të shenjtë për udhëheqësin Ayatollah Khomeini.
Militantët e ISIS-it morën menjëherë përgjegjësinë për sulmet. Është hera e parë që grupi mysliman suni pranon se ka sulmuar Iranin, vend me shumicë myslimane shiite.
Gjashtë nga sulmuesit u vranë nga forcat iraniane të sigurisë.
Sulmet filluan para mesditës, kur disa burra të veshur si gra, sulmuan ndërtesën e parlamentit dhe vranë një roje sigurie. Një sulmues hodhi veten në erë brenda ndërtesës dhe tre persona të armatosur u njoftua se ishin vrarë nga policia pasi morën disa pengje.
Ali Larijani, kryetar i Parlamentit, e quajti sulmin një "incident të vogël" të kryer nga "disa terroristë frikacakë". Ai tha se kundër atyre që janë përgjegjës do të merren "masa serioze".
Sulmi kundër objektit të shenjtë filloi rreth 30 minuta pas atij kundër parlamentit dhe përfshiu tre persona të armatosur dhe një vetëvrasës, i cili vrau të paktën një person dhe plagosi disa të tjerë, sipas mediave iraniane. Njoftimet thanë se policia arrestoi të paktën një nga sulmuesit dhe vrau një tjetër.
Grupi ekstremist Shteti Islamik është në luftë me grupet e mbështetura nga Irani në Siri dhe e sheh shumicën shiite të Iranit si tradhtare që meriton vdekjen.
Facebook Forum