Në Shqipëri, ambasada amerikane bëri thirrje sot që paditë ligjore të paraqitura në fillim të muajit në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtohen në mënyrë të hapur dhe transparente, duke u mbështetur në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Shqetësimi i zyrtarëve amerikanë, ka të bëjë me ankesat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, që kërkojnë shfuqizimin e disa neneve, që kanë të bëjnë me ligjin e vetingut. Ambasada amerikane shpreh shqetësimin për këto përpjekje, që i quan "përpjekje për të dobësuar reformën, për të mbrojtur gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, përfshirë ata që kanë lidhje me krimin e organizuar". Ky është një gjest i pazakontë i ambasadës amerikane që i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë padinë në mënyrë transparente. Padia u paraqit në fillim të muajit, por ekzistenca e saj u mësua një javë pasi ishte paraqitur dhe pranuar nga Gjykata Kushtetuese.
Facebook Forum