Lidhje

Dokumentari 'Zero Days"


Sulmi i fundit nga virusi i kompjuterave WannaCry, infektoi më shumë se 230,000 kompjutera në mbi 150 vende. Nuk është ende e qartë kush është pas programit keqbërës që preku organizata, spitale dhe kompani të telekomit në mbarë botën, por sulmi nuk ishte i papritur. Disa muaj para se të ndodhte sulmi, fituesi i disa çmimeve, regjisori Alex Gibney, publikoi dokumentarin e tij “Zero Days” në të cilin ai paralajmëron për sulme kibernetike në shkallë të gjerë dhe ndikimin e tyre shkatërrues në mënyrën tonë të jetesës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou njofton.

Stuxnet është një virus kompjuterash që Shtetet e Bashkuara thuhet ta kenë zhvilluar së bashku me Izraelin për të infektuar dhe shkatërruar centrifugat bërthamore të Iranit. Megjithëse operacioni i fshehtë ishte i suksesshëm, dokumentari pohon se virusi u zbulua më në fund dhe ra në duart e hakerëve, të cilët ishin në gjendje ta përmirësonin atë dhe ta kthenin kundër krijuesit të tij. Regjisori i dokumentarit, Alex Gibney i tha Zërit të Amerikës se e zbuloi informacionin me ndihmën e personave të brendshëm në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

“Kërkuam një mënyrë që ata të flisnin pa e zbuluar identitetin e tyre dhe kur e krijuam këtë mekanizëm, ata ishin më të qetë të flisnin pak më hapur.”

Sipas Eric Chien, me Sigurinë Kibernetike Globale, Stuxnet u zhvillua në një virus aq të fuqishëm, saqë mund të shkaktojë shkatërrime fizike, si përshembull, mund të mbyllë rrjetin elektrik të një qyteti të madh.

“Ai hapi kutinë e Pandorës. Kjo është gjendja sot. Tani shohim që shumë vende kryejnë sulme në mbarë botën. Ne shohim faza të ndryshme sulmesh që një ditë mund të shkaktojnë sabotazhe të tjera.”

Gibney thotë se lufta kibernetike nuk ka kufi apo rregulla. Ajo mund të godasë kudo, këdo dhe në çdo kohë.

“Njerëzit përdorin trenat, avionët, energjinë elektrike. Kjo është jeta moderne. Ajo që themi në këtë film është se këto armë kërcënojnë jetën moderne që ne njohim”, thotë Alex Gibney, regjisor i dokumentarit.

Megjithëse nuk ka lidhje të dukshme mes virusit Stuxnet dhe programit keqbërës WannaCry, ekspertët si Eric Chien thonë se sulmet kibernetike ndjekin modele të ngjashme: ato nisin në distancë nga vende të panjohura dhe grupe të panjohura, ndoshta nga vende apo ushtri mercenare, që paguhen për të sabotuar dhe paralizuar shoqëritë që varen tek komputerat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG