Lidhje

Albin Kurti thirrje koalicionit të LDK-së për qeverinë e re


Albin Kurti, Leader of "Self Determination" Party, Kosovo

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti, u bëri thirrje partive politike të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që t’i fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai i bëri këto thirrje gjatë një konference për gazetarë, dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, ku partia e tij lëvizja Vetëvendosje doli në vendin e dytë, pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Zoti Kurti tha se vota e 11 qershorit ka treguar se qytetarët duan ndryshime dhe se sipas tij qeveria e re duhet të jetë qeveri e ndryshimeve. Ai u bëri thirrje posaçërisht Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës që të ulen dhe të bisedojnë me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë së re.

"Ne ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK, AKR, Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK, AAK dhe NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘pronto’ që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën e re politike në vend pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje", tha zoti Kurti.

Zoti Kurti tha se kësaj radhe qeveria duhet të udhëhiqet nga lëvizja Vetëvendosje duke përjashtuar çdo mundësi që kjo parti të heq dorë nga posti i kryeministrit. Ai tha se ndryshimet nuk mund të bëhen me emra e figura të kaluara politike.

Kjo është thirrja e parë publike nga një parti politike për krijimin e qeverisë së re të Kosovës pas zgjedhjeve të 11 qershorit, rezultatet e së cilës për shumë kënd ishin befasuese.

Rezultatet paraprake e nxorën fitues koalicionin PDK-AAK-Nisma, por pa shumicën e mjaftueshme për ta formuar qeverinë. Thirrjet e zotit Kurti duken si përpjekje për të parandaluar mundësinë që koalicioni që do të marrë i pari mandatin për formimin e qeverisë të kërkojë vota brenda koalicionit të mbledhur rreth Lidhjes Demokratike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG