Lidhje

Tillerson mbron shkurtimet buxhetore


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson i doli në mbrojtje shkurtimeve drastike të buxhetit në fushën e diplomacisë amerikane dhe të ndihmës për jashtë para ligjvënësve të të dyja dhomave të Kongresit. Ai tha se të gjitha synimet e administratës amerikane për politikën e jashtme mund të realizohen me shpenzime të matura. Zoti Tillerson dëshmoi të martën para dy komisioneve të Senatit dhe të mërkurën, para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Zllatica Hoke, anëtarët e komisioneve të të dyja dhomave vunë në pikëpytje logjikën që qëndron pas shtimit të shpenzimeve ushtarake në kurriz të të ashtuquajturave mjete të buta politike, si ndihmat, zhvillimi dhe diplomacia.

Buxheti për vitin 2018 i propozuar nga Presidenti Donald Trump do të shkurtonte shpenzimet në Departamentin e Shtetit dhe të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit me thuajse një të tretën krahasuar me nivelin e këtij viti.

Sekretari Tillerson tha se fondet buxhetore për të dyja këto agjenci janë rritur me 60 për qind gjatë dekadës së fundit, duke kapur shifrën më të lartë në vite: 55.6 miliardë dollarë në vitin 2017.

"Duhet pranuar se ky ritëm i shtimit të fondeve nuk është i justifikueshëm, buxheti për vitin fiskal 2018 synon të fuqizojë misionet thelbësore të Departamentit të Shtetit në nivele historike financimesh”.

Administrata Trump propozon rritjen e shpenzimeve ushtarake, ndërsa shkurton buxhetin për ndihmat dhe diplomacinë me 32 për qind. Ligjvënësi i demokrat i Nju Jorkut Eliot Engel, tha se buxheti i propozuar për 2018-ën është më i pamaturi që ai ka parë.

“Disa nga pasojat negative të këtij buxheti kanë për t’u ndjerë në punën tonë, nëse nuk do të investojmë më tek diplomacia dhe zhvillimi. Konfliktet që nuk i parandalojmë dot kanë për t’u kthyer, dhe do të na duhet të hyjmë në luftra.”- tha zoti Engel.

Kongresmeni Engel citoi Senatorin republikan Lindsey Graham, i cili të martën i tha zotit Tillerson se shkurtimet e propozuara të buxhetit për Departamentin e Shtetit mund të minojnë sigurinë në ambasadat amerikane në vende të rrezikshme.

Në një seancë dëshmish të martën, senatori Graham po ashtu tha se tërheqja e ndihmës për njerëzit e goditur nga fatkeqësitë ushqen propagandën terroriste.

"Terroristëve u pëlqen shumë kjo gjë. Ata e urrejnë idenë që Amerika shfaqet në këto vende me ndihma ushqimore dhe zhvillimi. Nga pikëpamja e terroristëve, ky është me të vërtetë një mjet rekrutimesh.”

Ligjvënësit po ashtu paralajmëruan se pakësimi i ndihmës amerikane jashtë vendit do të minonte rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në botë.

Por sekretari Tillerson argumentoi se financimet nuk janë faktori më i rëndësishëm në arritjen e synimeve të Shteteve të Bashkuara.

"Edhe me pakësimin e fondeve ne do të vazhdojmë të jemi udhëheqësit e zhvillimit ndërkombëtar, shëndetit global, demokracisë dhe nismave për qeverisje të mirë dhe përpjekjeve humanitare,”- tha sekretari Tillerson.

Zoti Tillerson tha se buxheti i propozuar prej 37, 6 miliardë dollarësh për vitin 2018 përfaqëson interesat e popullit amerikan dhe kërkon një administrim të përgjegjshëm të fondeve publike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG