Lidhje

Popullsia e SHBA gjithnjë e më e larmishme


Numri i banorëve të të gjitha racave dhe grupeve etnike u rrit në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit të kaluar, por popullsia aziatike dhe hispanike vazhdoi të kishte rritjen më të shpejtë, sipas shifrave të përgjithshëm të publikuara të enjten nga Byroja e Regjistrimit.

Në raportin e Byros së Regjistrimit të popullsisë thuhet se në krahasim me të gjitha racat dhe grupet e tjera etnike, popullsia e bardhë jo-hispanike u rrit me një ritëm më të ngadalshëm.

"Grupi i të bardhëve jo-hispanik i vetëm u rrit më pak se 0.01 përqind dhe u shtua me vetëm rreth 5.000 njerëz", tha përmes një deklarate, Lauren Medina, një demografe e Byros së Regjistrimit.

Raporti, i cili bazohet në regjistrimin e popullsisë sipas moshës, gjinisë, racës dhe origjinës hispanike thotë se më 1 korrik të vitit 2016, popullsia hispanike e Shteteve të Bashkuara ishte 57.5 milionë, një rritje prej 2 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm.

Ndërkohë, popullsia aziatike u rrit në 21.4 milionë, një rritje prej 3 për qind krahasuar me vitin paraprak, duke u bërë kështu grupimi etnik me rritjen më të shpejtë.

Raporti vjen nga "Programi Qendra e të Dhënave Shtetërore", i cili punon me të dhëna që vijnë nga 50 shtete, Distrikti i Kolumbisë, Porto Riko dhe zona të tjera. Ky informacion vjen nga rrjete të agjencive shtetërore, universiteteve, bibliotekave dhe qeverive rajonale dhe lokale.

Normat e lindjes

Studimi vlerëson se të gjitha grupet kishin më shumë lindje sesa vdekje në vitin e kaluar, përveç të bardhëve jo-hispanikë, të cilët kanë pësuar një rënie në nivel kombëtar me 163,300 lindje.

Monica Gomez Isaac, drejtore ekzekutive e Institutit për Studimin e Imigracionit në Universitetin George Mason, thotë se rritja e popullsisë hispanike dhe aziatike mund t'i atribuohet normave më të larta të lindjeve, dhe kjo është një prirje "që parashikohet të rritet".

Si rezultat, thotë ajo, popullsia e Shteteve të Bashkuara po bëhet gjithnjë e më e larmishme për nga përbërja etnike.

Megjithatë, ajo thotë se 50 vjet më parë, popullsitë e emigrantëve u rritën për arsye të ndryshme.

"Heqja e kuotave të bazuar në origjinën kombëtare përmes Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë në vitin 1965 bëri të mundur që të lejohej hyrja e një grupi më të larmishëm emigrantësh në vend, sidomos nga Amerika Latine dhe Azia".

Gjeografikisht, të dhënat e reja të Byros së Regjistrimit të Popullsisë tregojnë se shumica e aziatikëve dhe hispanikëve janë të përqëndruar në shtete që ndodhen në pjesën perëndimore të vendit.

Kalifornia ka popullsinë më të madhe hispanike dhe aziatike, respektivisht me 15.3 milionë dhe 6.6 milionë.

Teksasi kishte rritjen më të madhe numerike të popullsisë hispanike me 233,100 persona, ndërsa 57 për qind e popullsisë së Havait është me origjinë aziatike.

Regjistrimi i Popullsisë në vitin 2020

Byroja e Regjistrimit të Popullsisë çdo dhjetë vjet bën regjistrimin e të gjithë njerëzve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në territoret e saj. Numërimi është i mandatuar me Kushtetutë dhe numërimi i radhës do të bëhet në vitin 2020.

Byroja e regjistrimi u dërgon me post çdo familjeje amerikane formularë me pyetje që përfshijnë numrin e banorëve, moshën dhe etnicitetin e tyre.

Formularët gjithashtu u lejojnë njerëzve të zgjedhin më shumë se një racë. Si rezultat, disa banorë mund të jenë një racë ose një kombinim i racave. Pyetja në formular në lidhje me origjinën hispanike mund të pasqyrojë njerëzit me origjinë hispanike, spanjolle ose latine.

Numrimi i popullsisë në vitin 2020 tashmë është përfshirë në disa polemika për shkak të një kërkese buxhetore të ulët të Shtëpisë së Bardhë për vitin fiskal 2018. Grupi monitorues Projekti i Regjistrimit të popullsisë thotë se në një kohë kur kjo zyrë duhet të intensifikojë përgatitjet për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, ajo tani duhet të merret me shkurtimin e fondeve për provat në terren.

"Kjo do të thotë se shanset për një ulje dramatike të sasisë së popullsisë së regjistruar në vitin 2020 do të rriten", thuhet në faqen e interneti të grupit Projekti për Regjistrimin e Popullsisë, duke shtuar se rreziku është veçanërisht i lartë në "komunitetet me ngjyrë dhe banorët në zonat rurale".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG