Senatorët republikanë më në fund bënë sot publik versionin e tyre të projektligjit për kujdesin shëndetësor, që synon shfuqizimin e një prej arritjeve legjislative më të mëdha të presidentit Obama, reformës shëndetësore, të njohur gjerësisht me emrin “Obamacare”.
Pas disa javë takimesh sekrete, projektligji prej 142 faqesh u publikua sot në internet.
Udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell në fjalën që mbajti në Senat tha se "Obamacare është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj klasës së mesme amerikane".
Sipas ndihmësve të senatorëve dhe grupeve lobiste, që ishin njohur të mërkurën me projektligjin, e senatit, ai është një kompromis mes ligjit aktual për sigurimet shëndetësore dhe një varianti të miratuar Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar.
Projektligji parashikon shkurtime fondesh për programin e sigurimeve shëndetësore për njerëzit me të ardhura të ulta, “Medicaid”, që administrohet nga shtetet individuale, heqjen e taksave mbi të pasurit dhe dhënien fund të fondeve për organizatën “Planifikimi Familjar”, që ofron kujdes shëndetësor për gratë.
Ndihmësit dhe lobistët të cilët shqyrtuan projektin thonë se ai kryesisht pasqyron variantin e Dhomës së Përfaqësuesve edhe pse ka dallime të dukshme.
Në një koment të tij presidenti Donald Trump tha të enjten se shpreson që senati të miratojë një plan "me zemër" për kujdesin shëndetësor. Përëpara kësaj deklarate presidenti Trump e kishte cilësuar variantin e Dhomës së Përfaqësuesve si "zemërngushtë".
Udhëheqësi i pakicës demokrate në senat Chuck Schumer kritikoi propozimin e republikanëve dhe tha se: "Ne jetojmë në vendin më të pasur në tokë. Sigurisht që mund të bëjmë më mirë, sesa ajo çka premtohet me ligjin e kujdesit shëndetësor republikan".
Demokratët dhe disa republikanë nuk i pritën aspak mirë takimet me dyer të mbyllura gjatë të cilave u hartua projektligji i senatit.
Demokratët planifikojnë të protestojnë kundër planit dhe të kërkojnë më shumë kohë për ta rishikuar atë ndryshe nga koha që ka ndërmend t’u verë në dispozicion udhëheqësi i republikanëve McConnell.
Për shkak se asnjë demokrat nuk pritet të votojë planin, republikanët po përdorin një proces të miratimit të përshpejtuar në një përpjekje për të shmangur zvarritjen, nëpërmjet taktikave legjislative.
Zoti McConnell shpreson që plani të sigurojë mbështetje të mjaftueshme nga republikanët e moderuar dhe konservatorët për një votim që ai dëshiron të zhvillohet javën e ardhshme. Por disa republikanë, në brendësi të përpjekjeve për miratimin e projekt-ligjit, thanë se duhet më shumë punë për të siguruar 50 vota të nevojshme. Në se sigurohen 50 vota pro, nënpresidenti Mike Pence, ka të drejtë të votojë për të thyer barazimin në Senat.
Sipas projekt-ligjit të miratuar me rezultat të ngushtë nga Dhoma e Përfaqësuesve, rreth 23 milionë njerëz mund të humbasin kujdesin shëndetësor.
Plani i senatit i bërë publik të enjten është hapi i fundit i një përpjekjeje shtatë vjeçare të republikanëve për të çmontuar reformën shëndetësore “Obamacare”.
Facebook Forum