Në Shqipëri ka nisur sot procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare. Kryetari i komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, i cili votoi në hapje të procesit u shpreh se “KQZ në një kohë rekord, brenda ligjit, ka bërë gati përgatitjen e zgjedhjeve që sot shqiptarët të votojnë të lirë e sipas vullnetit të tyre. U bëj thirrje të dalin masivisht në votime, pasi kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e tyre. Kështu funksionon demokracia dhe shpresoj që gjithcka të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe transparente”.
Thirrja drejtuar votuesve që të marrin pjesë masivisht është përsëritur thuajse nga të gjithë drejtuesit e lartë politik dhe shtetëror të vendit. “Eshtë dita që shqiptarët të tregojnë se demokracia funksion, së pari përmes pjesmarrjes, por dhe përmes vendimit të tyre për një të nesërme më të mirë”, u shpreh presidenti Bujar Nishani, pas votimit. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama pati një deklaratë mjaft të shkurtër: “Qofshin njerëzit e zakonshëm sot, Zoti që i duhet Shqipërisë. Jam besimplotë se do të kemi një ditë shumë të bukur”, theksoi ai.
Thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje edhe nga presidenti i zgjedhur Ilir Meta, sipas të cilit shqiptarët sot duhet të votojnë “me ashpërsinë më të madhe, kundër kujtdo që bën presion mbi lirinë e vullnetit të tyre, kundër kutjdo që kërkon të blejë të ardhmen e tyre. Shqiptarët duhet të tregojnë se liria e dinjiteti nuk kanë çmim dhe se e ardhmja e tyre është gjëja më e shenjtë”, deklaroi zoti Meta.
“Mos mungoni në këtë vendimmarrje të madhe, vetëm përmes votës mund të ndryshohet Shqipëria dhe jeta juaj”, ishte thirrja e kreut të opozitës Lulzim Basha, pasi së bashku me familjen votoi në një nga qendrat në kryeqytet. AI theksoi se thirrja shkon “në veçanti për qytetarët e zhgënjyer nga politika. Ky është rasti, kjo është mundësia të bëni dicka për të ndryshuar vendin”, theksoi zoti Basha.
Procesi deri në mesditë ka ecur përgjithësisht qetë, me disa problem teknike në disa qendra votimi. I vetmi incident problematik është ai i ndodhur në afërsi të një qendre votimi në Shëngjin ku ka patur të shtëna me armë. Sipas policisë “dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt të çastit mes një të riu 27 vjeçar dhe një grupi personash të tjerë për të cilët po punohet për identifikimin e tyre”. Lëvizja socialiste për Integrim reagoi duke u shprehur se 27 vjeçari është një aktivist i saj, i cili sipas LSI-së është sulmuar nga një grup i armatosur që i përket Partisë socialiste. Sipas burimeve, i riu ka mbetur i plaosur nga goditja me qytën e një revolveri. Policia nga ana e saj thotë se asnjë person nuk ka mbërritur në spital për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Mbi 3 milion e 450 mijë shqiptarë janë thirrur të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet parlamentare të radhës, pjesëmarrja në të cilat si zakonisht, kushtëzohet fort nga numri i lartë i emigrantëve që e kanë të pamundur të jenë pjesë e procesit. Deri në orën 10.00 pjesmarrja llogaritet të ketë qenë në 12.16 përqind. Në të gjithë vendin funksionojnë 5362 qendra votimi. Në përfundim të procesit kutitë do të numërohen pranë 90 Komisioneve zonale.
Në garë marrin pjesë 18 forca politike, të cilat konkurrojnë me vete, dhe jo përmes koalicioneve. Partitë kryesore janë ato që kanë patur të drejtën dhe të emërimeve të 720 komisionerëve zonal dhe rreth 37 mijë të tjerëve që do të jenë në qendrat e votimit. “Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve varet tërësisht nga sjellja e aktorëve në process, ndaj presioni mbi zgjedhësit, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe çdo mënyrë sjelljeje që pengon votuesit në shprehjen e lirë të vullnetit, është dhunim i Kodit Zgjedhor dhe sjell pasoja të rënda ligjore, deri në dënime të rënda penale”, u shpreh një ditë më parë kryetari i KQZ-ës.
Zoti Zguri, i kërkoi institucioneve ligjzbatuese t’i kushtojnë vëmendje të posaçme parandalimit dhe pengimit të incidenteve, si dhe kapjen e ndëshkimin e dhunuesve të ligjit. MBi 7 mijë forca policore do të angazhohen për të garantuar procesin zgjedhor, ndërsa në të gjitha prokuroritë e rretheve janë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë.
Zgjedhjet e sotme po ndiqen nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Misioni ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, nga të cilët 255 vëzhguesë afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga Asambleja parlamentare e Këshillit te Europës, dhe 11 nga parlamenti europian.
Facebook Forum