Lidhje

Numërimi, PS fituese e zgjedhjeve

  • Armand Mero

Në Shqipëri Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama është fituesja e zgjedhjeve të së dielës dhe do të mund të kontrollojë e vetme shumicën e parlamentit. Kur kanë mbetur pa numeruar vetëm më pak se 5 përqind e kutive të votimit, socialistët kanë ruajtur avantazhin e ndjeshëm ndaj Partisë demokratike, duke mbetur në nivelet e 48 përqindëshit, ose 74 mandate, kundrejt 28 për qind dhe 43 mandate të siguruara nga opozita. Në rritje Lëvizja socialiste për integrim dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Partia socialiste është konfirmuar si partia më e madhe e vendit edhe në votimet e së dielës së kaluar. Rezultatet, kur kanë mbetur pa numëruar më pak se 200 kuti, e japin atë si fituesen e qartë me një diferencë të thellë ndaj rivales kryesore, Partisë demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha. Socialistët kanë ruajtur avantazhin e shfaqur që në fillim të procesit, duke siguruar mbi 48 përqind të votave, ose 7 pikë më shumë krahasuar me rezultatin e vitit 2013. Një rezultat mjaft i lartë, për një forcë politike pas katër vitesh në pushtet.

Nga ana e saj opozita duket se ka pësuar një tjetër tkurrje nga humbja e thellë që pësoi në zgjedhjet e 2013. Partia Demokratike, e cila kishte përfshirë në listat e saj dhe drejtuesit e partive kryesore të djathta, rezulton me 28.8 përqind të votave, afërsisht 2 pikë më poshtë se në 2013.

Lëvizja Socialiste për Integrim, është konsoliduar si forca e tretë në vend, duke siguruar një rritje më afër 3.8 pikë nga zgjedhjet e kaluara. Me një përmirësim prej dy pikësh rezulton dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, e Shpëtim Idrizit që për momentin ka 4.6 përqind të votave, mbi 2 pikë më shumë se në 2013.

Procesi i numërimit ka përfunduar në pjesën më të madhe të qarqeve dhe në disa të tjera ka mbetur vetëm për një numër të vogël kutishë. Analiza e të dhënave sipas qarqeve e cila përkthehet edhe në mandate parlamentare, ofron një panoramë edhe më optimiste për socialistët, të cilët pritet të sigurojnë, sipas të dhënave të deritanishme, 9 deputetë më shumë, ose në totale 74 vende në parlament. Për Partinë demokratike, rënia me pak pikë përqindje, është shoqëruar me një humbje të një numri të konsiderueshëm prej 7 deputetësh, nga 50 që ka në parlamentin aktual në 43. Por nëse do të llogarisnim edhe 3 votat aktuale të republikanëve, atëherë humbja bëhet dhe më e rëndë.

Deri më tani, rritja në përqindje e LSI-së është përkthyer në 3 mandate më shumë, nga 16 që ka në parlamentin aktual. Ndërkohë që PDIU-ja, në krahasim me 2013, ka humbur një deputet duke zbritur në kuotën e 3 mandateve. Në zgjedhjet e kaluara ajo u favorizua nga pjesmarrja në koalicion, ndonëse kishte gati gjysmën e votave të mbledhura këtë herë. Partia socialdemokrate i gëzohet votave të kandidatit të saj Tom Doshi që duket se ka siguruar sërish një mandat në parlamentin e ri.

Ndërsa procesi i numërimit është drejt fundit, socialistët megjithatë e kanë të garantuar objektivin e shpallur nga kryeministri Edi Rama për të patur të vetëm kontrollin e shumicës parlamentare. Ndërkohë që Partia Demokratike ka pësuar një tjetër goditje pas asaj të 2013. Ajo rezulton fituese vetëm në qarkun e Kukësit dhe atë të Shkodrës. Në pak të tjera ka ruajtur të njejtat kuota, ndërsa në pjesën më të madhe ka lënë mandate. Për zotin Basha, në katër vitet e drejtimit të opozitës, kjo është humbja e dytë e rëndë pas asaj në zgjedhjet lokale të 2015. Kritikat që shoqëruan zgjedhjen e tij personale në listat e kandidatëve, me gjasë do të rizgjohen me forcë, ndërsa pas pak javësh ai do të duhet të përballet dhe me garën për drejtimin e ardhshëm të demokratëve. Menjëherë janë shfaqur zërat që kërkojnë dhe dorëheqjen e tij të menjëhershme për t’i hapur rrugë me shpejtësi procesit të zgjedhjeve në Partinë Demokratike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG