Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se ai dhe republikanët e Senatit po përballen me një "rrugë shumë të ngushtë" në përpjekjet e tyre shtatëvjeçare për të përmirësuar reformën kombëtare të kujdesit shëndetësor që njihet si një nga arritjet më të mëdha legjislative të ish presidentit Barak Obama.
"Unë mendoj se do ta realizojmë këtë", tha zoti Trump për kanalin Fox News në një intervistë të transmetuar të dielën.
Ai vuri në dukje rrugën e komplikuar në ditët në vijim për të miratuar një plan "që të gjithë do ta pëlqejnë", por argumentoi se nëse nuk ndryshohet plani i presidentit Obama, i njohur si Obamacare, alternativa do të ishte kolapsi i sistemit shëndetësor.
Drejtuesit e Senatit planifikojnë të paraqesin për votim të enjten projekt-ligjin që do t'i jepte fund detyrimit për të blerë sigurime shëndetësore ose përndryshe duhet të paguash gjobë. Projekt-ligji i ri parashikon gjithashtu eliminimin me faza të subvencioneve për personat me të ardhura të ulëta për të blerë sigurim shëndetësor, uljen e taksave për të pasurit dhe shkurtimin e qindra miliarda dollarëve gjatë disa viteve të ardhshme në buxhetin e programit “Medicaid”, programi i kujdesit shëndetësor për të varfërit dhe invalidët.
Përpara votimit, zyra jo-partiake e Buxhetit në Kongres do të publikojë vlerësimin e saj mbi planin republikan, duke përfshirë parashikimet e kostos dhe vlerësimin se sa njerëz do të humbisnin sigurimin shëndetësor nëse plani do të miratohej.
Sipas kësaj zyre, 23 milionë njerëz do të humbisnin sigurimet shëndetësore gjatë dekadës së ardhshme në se do të kalohej varianti i projekt-ligjit të kujdesit shëndetësor të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar.
Republikanët mbajnë një shumicë 52-48 në Senat, dhe të gjithë demokratët pritet të votojnë kundër propozimit republikan. Kjo i lë republikanët me pak hapësirë për të miratuar projekt-ligjin nëse disa nga anëtarët e tyre vendosin të mos e mbështesin planin.
Deri tani pesë senatorë republikanë kanë thënë se nuk mund ta mbështesin projektligjin në formën e tanishme, me katër prej tyre që kanë thënë se ai nuk shkon aq larg sa duhet për t'i dhënë fund dispozitave të ligjit aktual dhe një tjetër që thotë se shkurtimet në pagesat e kujdesit shëndetësor për të varfërit janë shumë të larta. Edhe ligjvënës të tjerë republikanë kanë shprehur rezerva.
Presidenti Trump i kritikoi demokratët për kundërshtimin e tyre ndaj përpjekjeve të republikanëve, duke thënë në Twitter se "Demokratët goditën propozimin e republikanëve për kujdesin shëndetësor, pasi pagesat dhe detyrimet për sistemin Obamacare u rritën me mbi 100%." A ju kujtohet premtimi se mund të mbanit mjekun tuaj dhe planin tuaj shëndetësor? "
Sipas ligjit Obamacare, rreth 20 milionë më shumë njerëz janë regjistruar në planet e sigurimeve shëndetësore, shumë prej tyre në programin “Medicaid” për të varfërit dhe invalidët, të cilin republikanët tani duan ta shkurtojnë me më shumë se 800 miliardë dollarë gjatë viteve të ardhshme. Zoti Trump tha gjatë fushatës së tij për president se nuk do ta shkurtonte programin Medicaid.
Udhëheqësi i demokratëve në Senatit, Chuck Schumer kritikoi planin republikan si "shkatërrues për klasën e mesme". Ai tha se republikanët në rastin më të mirë do të kenë një votim 50 me 50 për projektligjin. Zoti Schumer shtoi se demokratët janë të gatshëm të punojnë me republikanët për të bërë reforma në sistemin aktual të kujdesit shëndetësor.
"Ata duan ta provojnë vetë fillimisht," tha ai për programin This Week në kanalin ABC. "Nëse dështojnë, shpresojmë se do të vijnë të ulen të bisedojmë. Ata do të ndalojnë sabotimin e ligjit Obamacares, dhe do të ulen me ne, për ta përmirësuar ligjin aktual".
Që kur Obamacare u miratua në vitin 2010 pa asnjë votë republikane, ligjvenësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë votuar dhjetëra herë për ta shfuqizuar ligjin, në një përpjekje të pasuksesshme, për sa kohë Obama ishte president. Por shfuqizimi i ligjit mund të jetë tani i mundur me republikanët që kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dy dhomat e Kongresit.
Nëse Senati miraton versionin e tij të projekt-ligjit, Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratojë të njëjtin variant ose të përshtasë versionin e saj me atë të Senatit para se presidenti Trump të mund ta nënshkruajë atë në ligj.
Facebook Forum