Lidhje

Ndikimi rus dhe radikalizmi fetar, kërcënimet kryesore për Ballkanin

  • Festim Gashi

Shtrirja e ndikimit rus, radikalizimi dhe keq-qeverisja janë kërcënimet kryesore ndaj qëndrueshmërisë në Ballkan sipas ekspertëve në një diskutim në Qendrën Wodrow Wilson në Uashington. Njëzetë e gjashtë vjet pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i kërcënuar, tani nga përpjekjet ruse për të minuar përpjekjet e vendeve të rajonit për t’u integruar në strukturat euro-atlantike dhe përhapja e ekstremizmit fetar të nxitur nga qytetarët që po kthehen nga luftërat në Lindjen e Mesme. Sipas ekspertëve Ross Johnson, John R. Lampe dhe Daniel Serwer përgjigja më e mirë ndaj këtyre kërcënimeve është vazhdimi përpjekjeve të këtyre vendeve për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Mungesa e një perspektive afatshkurtër të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian i ka bërë ato më të pambrojtura nga kërcënimet e jashtme. Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer thotë se një nga kërcënimet kryesore me të cilat po përballen vendet e Ballkanit tani është vendosmëria e Rusisë për të bllokuar anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian dhe në Nato.

“Ata po bëjnë shumë përpjekje përmes agjencisë Sputnik dhe programit “Rusia Sot” për të shtrirë ndikimin e tyre në rajon. Ata bënë përpjekje për grushtshtet në Mal të Zi dhe u përpoqën të bllokonin përpjekjet për formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Ata po hedhin para në grupet pro-ruse në mbarë rajonin. Synimi i tyre është destabilizimi i rajonit për të paranadaluar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Nato dhe në Bashkimit Evropian”.

Por Ross Johnson nga Instituti Hoover, thotë se ndërsa Moska shikon interesat e saj në rajon, përpjekjet ruse nuk do të shkaktojnë konflikte në një të ardhme të afërt në Ballkan.

“Nuk mendoj se jemi ne prag të shpërthimit të një lufte. Federata Ruse po ndjek interesat e saj në rajon, por nuk është në prag të përfshirjes së rajonit në një sferë të begatisë ruse”.

Në lidhje me praninë ekonomike të Rusisë në rajon, veçanërisht në Serbi, Profesori i Universitetit të Merilendit, John R. Lampe thotë kjo çështje është ekzagjeruar.

“Ka një prani të kufizuar të pranisë ekonomike të Rusisë, tregtia mes dy vendeve, importet dhe eksportet janë nën tre për qind, kështu që sërbët nuk mendojnë se ky duhet të jetë një shqetësim i madh për Perëndimin”.

Një tjetër rrezik për vendet e Ballkanit perëndimor është përhapja e radikalizmit të dhunshëm. Qindra qytetarë të vendeve të Ballkanit u janë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak. Sipas analistit Serwer, kthimi i tyre në rajon mund të kërcënojë sigurinë për këtë vende.

“Në Bosnje ka qenë gjithmonë një ide gjatë luftës për krijimin e “Kopshtit të Gjelbër”, një shtet të vogël islamik në Bosnjën qendrore. Kjo ishte arsye kryesore e interesimit të amerikanëve për krijimin e një federate, pra për të parandaluar krijimin e një mini-shteti islamik. Nëse këto gjëra ndodhin, atëherë mund të krijohen mini-shtete islamike dhe në Bihaç dhe në Sanxhak.”

Ros Johnson, ndërsa e pranon rritjen e radikalizimit islamik në rajon, mendon se rajoni përballet me disa kërcënime të tjera më të rrezikshme.

“Së pari, kufijtë e vendosur në mënyrë arbitrare, së dyti, mungesa e qeverisjes së mirë nga shumicat e partive etnike nacionaliste dhe së treti mungesa e një konsensusi ndaj legjitimitetit të vetë shtetit”.

Sipas tij, këto kërcënime ekzistenciale minojnë institucionet e këtyre vendeve. Ai tha se ky është një problem i madh veçanërisht për Kosovën.

“Sfida më e madhe për Kosovën është e brendshme, dhe ajo është dështimi i qeverisjes së shumicës. Kosova përballet me sfidën e defiçitit të qeverisjes, përformancën ekonomike dhe nivelin e lartë të korrupsionit në nëntë vitet që nga shpallja e pavarësisë”.

Ekspertët thanë se procesi i integrimit në strukturat euro-atlantike mund të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të tejkalojnë këto kërcënime, e jo kthimi nga Rusia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG