Lidhje

Gjykata e Lartë dhe Urdhri për ndalimin e udhëtimeve


Gjykata e Lartë amerikane i dha një fitore të pjesshme Presidentit Donald Trump, duke lejuar pjesë të urdhrit të tij të rishikuar për ndalimin e udhëtimeve, të hyjnë në fuqi derisa ta shqyrtojë çështjen përfundimisht në tetor. Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump, ndalon dhënien e vizave për udhëtarët nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni për 90 ditë dhe pezullon programin e Shteteve të Bashkuara për refugjatët për 120 ditë. Gjykatat federale në Hauai dhe Merilend e bllokuan urdhrin e ashtuquajtur “ndalim për myslimanët” pas lëshimit të tij në mars. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke thotë se grupet e të drejtave të njeriut po e kritikojnë vendimin e Gjykatës.

Presidenti Trump e përshëndeti vendimin e gjykatës të hënën.

Ndërsa Presidenti tha se vendimi do të ndihmojë për t’i mbajtur amerikanët të sigurtë, grupet e të drejtave të njeriut e kritikuan menjëherë atë.

"Vetë fakti që Gjykata e Lartë është dakort ta shqyrtojë çështjen bie në kundërshtim me vendimet e gjykatave të niveleve më të ulta që kanë thënë se ky urdhër është i padrejtë dhe diskriminues për myslimanët", thotë Steven Choi me organizatën Koalicion për Imigracionin.

Aktivistët po vënë gjithashtu në pikëpyetje përcaktimin e gjykatës se shtetasit e gjashtë vendeve të prekura mund të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara nëse kanë një pretendim të besueshëm për një marrëdhënie të mirëfilltë me një person apo organizatë këtu në Shtetet e Bashkuara.

"Gjuha e përdorur është shumë e paqartë. Kush do ta marrë këtë vendim? Me sa duket e njëjta qeveri që po përpiqet të ndalojë individët myslimanë të vijnë në këtë vend", thotë Lara Finkbeiner me Projektin e Ndihmës për Refugjatët.

Por disa thonë se kushti i vendosur nga Gjykata e Lartë nuk është aq kufizues sa duket.

"Kategoria kryesore e njerëzve që janë më të pambrojtur do të jenë turistët. Për studentët për shembull, universiteti ka një lloj përgjegjësie për ta. E njejta mund të thuhet për vizat e punës – ku ke një punëdhënës amerikan. E njëjta gjë për refugjatët. Shumë kategori refugjatësh kanë lidhje paraprake të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara, qoftë përmes familjes apo në rastin e refugjatëve irakianë – ata që kanë punuar për ushtrinë amerikane në Irak".

Betsy Fisher është drejtoreshë e politikave në Projektin e Ndihmës Ndërkombëtare për Refugjatët. Zonja Fisher thotë se urdhri hyn në fuqi të enjten dhe shumë njerëz do të jenë të paqartë si do ta zbatojnë atë.

"Organizata ime do të publikojë udhëzuesin “Njihni të Drejtat Tuaja” me informacion të përditësuar. Ne do të përgjigjemi me vullnetarë në aeroporte për të siguruar që ky urdhër zbatohet në mënyrë korrekte dhe që individët të mos ndalohen apo të mbahen pa afat, pa asnjë arsye."

Zonja Fisher thotë se Gjykata e Lartë do të kryejë një analizë të plotë kushtetuese të urdhrit, në tetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG