Lidhje

Sekretari i Mbrojtjes Mattis do të diskutojë për Afganistanin me aleatët e NATO-s


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis do të shkojë këtë javë në Bruksel, ku do të konsultohet me vendet aleate në NATO për kontributin me forca ushtarake dhe forma të tjera mbështetjeje në Afganistan. Udhëtimi i tij i paraprin një njoftimi për rritjen e trupave amerikane në vendin e rrënuar nga lufta.

Pentagoni ka premtuar të nxjerrë një plan të ri për Afganistanin muajin tjetër.

Ka analistë që mendojnë se strategjia e administratës Trump nuk do të jetë shumë e ndryshme nga plani i ish-Presidentit Obama.

“Zoti Mattis dhe Presidenti Trump mendoj se më tepër po korrigjojnë një gabim që bëri ish-Presidenti Obama. Pra, në njëfarë mënyre do të zbatojnë më mirë strategjinë e zotit Obama, më mirë se sa e zbatoi ai vetë”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit “Brookings”.

Strategjia do të fokusohet tek marrja e rolit parësor për sigurinë nga forcat afgane. Gabimi, të cilit i referohet zoti O’Hanlon, ishte ulja e mbështetjes amerikane nga rreth 100 mijë ushtarakë amerikanë të vitit 2011, në më pak se 10 mijë të tillë.

“U ul tepër prania, dhe me shumë shpejtësi. Pra, duke rikthyer tashmë disa mijëra ushtarakë, mendoj se mund të vendosim këshilltarë në disa njësi kryesore afgane dhe ndoshta ta stabilizojmë vërtet situatën”, thotë zoti O’Hanlon.

Sekretari Mattis do të bashkëpunojë këtë javë me NATO-n dhe vende të tjera aleate për të rritur angazhimin në Afganistan, përpara se t’i japë formën përfundimtare planit të tij ushtarak.

“Duhet të mendojmë se në ç’mënyra të tjera mund të ndihmojnë. E kuptoj se të gjithë dëshirojnë të mësojnë se ç’do të ndodhë, por Sekretari po merr me kujdes në konsideratë nevojat e komandatëve ushtarakë dhe se çfarë do të duhet për ta përmbysur disavantazhin”, thotë zëdhënësja e Pentagonit, Dana White.

Zyrtarët thonë se strategjia e re duhet edhe të ndalojë nxitjen e disa elementëve nga qeveria e Pakistanit për talebanët.

Gjithashtu, duhet ta ndalojë rritjen e degëve vendase të Shtetit Islamik.

“Nuk po përmirësohen gjërat në Afganistan. Kemi një problem me ISIS-in, i cili duhet mposhtur. Do të fokusohemi tek ky aspekt”, thotë znj. White.

Analistët thonë se ndërsa janë shtuar radhët e ISIS-it në Afganistan, aftësitë operacionale të grupimit janë të kufizuara, për shkak se po luftojnë ndaj forcave amerikane dhe atyre afgane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG