Lidhje

Kongresi dhe debati për kujdesin shëndetësor


Në Shtetet e Bashkuara, Zyra jopartiake e Kongresit për Buxhetin parashikon se numri i amerikanëve pa sigurime shëndetësore do të rritet edhe 22 milionë gjatë dekadës së ardhshme. Parashikimi është llogaritur bazuar në një variant të projektligjit për kujdesin shëndetësor që po debatohet në Senat. Varianti është paraqitur nga republikanët për të zëvendësuar ligjin e ish-Presidentit Obama për kujdesin e përballueshëm shëndetësor.

Shifra prej 22 milionësh është një milion më pak sesa vlerësimi i Zyrës së Buxhetit, i llogaritur në bazë të variantit të projektligjit të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar.

Për të dyja variantet, parashikimi është që çmimet mesatare të sigurimeve shëndetësore të kenë rritje në dy vitet e para dhe rënia të fillojë në vitin 2020. Gjatë kësaj kohe, njerëzit do të nxjerrin më shumë nga xhepi i tyre për pagesën fillestare që kërkon çdo paraqitje te mjeku.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se vlerësimi i Zyrës së Buxhetit tregon se varianti i Senatit është "po aq i keq sa edhe ai i Dhomës së Përfaqësuesve”:

"Ky raport i Zyrës së Buxhetit duhet të shënojë fundin e rrugës së Presidentit Trump përsa i përket reformës shëndetësore. Republikanët do të tregoheshin të mençur po ta lexonin këtë raport si një shenjë gjigande që u thotë ndal dhe që u kërkon të kthehen mbrapsht nga kjo rrugë, e cila do të ishte katastrofike për vendin, për amerikanët e klasës së mesme dhe për partinë e tyre."

Projektligji i ri për kujdesin shëndetësor do t'i jepte fund kërkesës që amerikanët të blinin me detyrim sigurim shëndetësor. Ai do të eliminonte shkallë-shkallë subvencionet për njerëzit me të ardhura të ulëta, pra që edhe ata të blinin sigurime shëndetësore.

"Ligji Obama detyroi miliona njerëz të hiqnin dorë nga plane shëndetësore që ata i pëlqenin, ndërkaq detyroi miliona të tjerë të blinin plane që ata as nuk donin, as nuk mund t’i përballonin. Prandaj, nëse nuk veprojmë, do të ketë më shumë amerikanë që do të mbeten të bllokuar, të detyruar të blejnë sigurime shëndetësore që nuk i përballojnë dot. Pikërisht kjo është gjendja e ligjit shëndetësor të ish-Presidentit Obama, siç po e kuptojnë edhe miliona amerikanë. Kjo është e papranueshme dhe nuk mund të vazhdojë më. Populli amerikan ka nevojë për kujdes më të mirë dhe për këtë po punojmë,” thotë udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell​.

Por disa republikanë kanë lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesin variantin e paraqitur në Senat, ku republikanët kanë një shumicë prej vetëm katër vendesh më shumë.

Republikanët e moderuar janë kundër shkurtimeve të thella në financimin e programit Medicaid, që siguron kujdes shëndetësor nga qeveria për të varfërit dhe personat me aftësi fizike të kufizuara. Konservatorët thonë se projektligji lë shumë elementë të paprekur nga sistemi i tanishëm.

Kundërshtarët e variantit të Senatit kanë kritikuar gjithashtu propozimet për shkurtime taksash në favor të amerikanëve më të pasur, të cilat janë mekanzimi kryesor për financimin e projekt-ligjit.

Republikanët kanë deklaruar se do ta shfuqizojnë ligjin e presidentit Barak Obama, që kur ai u miratua në vitin 2010.

Nëse Senati miraton versionin e tij të shfuqizimit, atëherë Dhoma e Përfaqësuesve ose duhet të miratojë të njëjtin variant, ose duhet të rakordojë variantin e saj me Senatin, përpara se Presidenti Donald Trump ta nënshkruajë për ta kthyer në ligj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG