Lidhje

Një sistem i ri për sigurinë e materialeve ndaj zjarrit


Materiale të reja, më të lehta, më të lira dhe të riciklueshme po hyjnë çdo ditë e më shumë në treg, ndërsa ndërtuesit përpiqen të ulin koston dhe të pakësojnë ndotjen. Por sa të sigurta janë këto materiale? Për shembull, a janë ato të qëndrueshme ndaj zjarrit?

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, George Putic vizitoi një objekt të ri qeveritar që mund t’u japë përgjigje shkencore pyetjeve të tilla.

Zjarret në ndërtesat e banimit zakonisht fillojnë me një flakë të vogël, por që përhapet me shpejtësi.

E vetmja mënyrë për të provuar shkencërisht se si reagon një material i caktuar në situata konkrete është që të ndërtosh një kopje të objektit dhe ta djegësh, duke regjistruar me hollësi të gjithë elementët e rëndësishëm.

Kjo mund të bëhet në Laboratorin e ri të Studimeve për Zjarrin në Institutin Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë, ose NIST, pranë Uashingtonit. Inxhinjeri Mathew Hoehler shpjegon:

"Pra, nuk është vetëm materiali, por mënyra se si lidhen materialet, si për shembull çelik që është i gozhduar ose i salduar, dhe se si vepron gjithë sistemi jo vetëm kur ka një zjarr të madh, por kur ka zjarr të madh dhe materiale që mund ta ushqejnë atë, si për shembull mobilje, ose lëndë gazi, ose çfarëdo materiali i djegshëm që po studiojmë”.

Strukturat që digjen në këtë objekt mund të jenë deri tre kate të larta ose 20 megavat energjie të çliruar, e barazvlefshme me një autobuz të përfshirë nga zjarri ose një shtëpi e vogël, që është djegur për katër orë pa pushim.

“Për zjarrin vetë, ne zakonisht masim energjinë, nivelin e çlirimit të energjisë, atë të çlirimit të nxehtësisë, ajo është më e rëndësishmja. Dhe ne po masim edhe temperaturën,” thotë Hoehler.

Analizimi i të dhënave të mbledhura sjell ndihmon për krijimin e kodeve dhe standardeve më të mira të ndërtimit dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara:

“Megjithëse bëhet fjalë për një lloj specifik produkti të prodhuar këtu në Shtetet e Bashkuara, të dhënat kanë rëndësi për kolegët tanë evropianë. Por nëse studiojmë shufra çeliku apo beton, të dhënat që mbledhim janë të rëndësishme për struktura të ngjashme kudo në botë”.

Ky objekt ka një procesor të sofistikuar të nxjerrjes së gazit, në mënyrë që të mos dalë ndotja në ajër.

Dhe në një rast shumë të pazakontë kur zjarri del jashtë kontrollit, sistemi i shuajtjes së zjarrit, mund të hedhë 11 tonë ujë në minutë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG