Lidhje

Rama: Meta dëmtoi imazhin e Presidentit


Në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, të reflektojë dhe të riparojë sa më shpejt dëmet që sipas tij, ai i solli figurës së Kreut të Shtetit përgjatë angazhimit në fushatën elektorale të LSI-së, për zgjedhjet e 25 Qershorit

“Dua t'i lutem sot, publikisht, të reflektojë një orë e më parë e të kthjellohet njëherë e mirë, si Presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual, jo konfliktual, për të qëndruar mbi palët e jo për të qenë palë kundër palëve të tjera. Dhe të përqendrohet sa nuk është vonë, tek riparimet e dëmeve të papara në këto 27 vjet, që i bëri figurës së kreut të ri të shtetit gjatë 40 ditëve të fundit”, dekalroi zoti Rama.

Pavarësisht se pati premtuar se nuk do të përfshihej në fushatën e LSI-së, zoti Meta u angazhua duke i dhënë tonin asaj e duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Rama por dhe drejtuesit të opozitës Lulzim Basha.

Në sy ranë veçanërisht deklaratat dhe qëndrimi i tij në Lezhë ditën e zgjedhjeve ku një mbështetës i LSI-së u dhunua gjatë një përplasjeje ku u përdorën dhe armët.

Pas katër vitesh në pushtet kjo partia tani do të jetë në opozitë dhe sipas zotit Rama, “LSI-ja përpara Shqipërisë është një vrimë në ujë dhe përjetimi tragjik nga ana e zotit Meta, i daljes së partisë së tij personale nga roli i çelësit për shumicën qeverisëse, nuk duhet në asnjë mënyrë ta damkosë si komike, pa hyrë ende në zyre, figurën e Presidentit të zgjedhur të shtetit të shqiptarëve”, u shpreh zoti Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG