Lidhje

Zgjedhjet në PD, ngrihet Komisioni organizativ


Në Shqipëri në Partinë Demokratike, u mblodh sot Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, organizimi përgjegjës për zhvillimin më 22 korrik, të zgjedhjeve për kryetarin e partisë

Ngritja e Komisionit pason mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë së demokratëve, ku u zyrtarizuan dy kandidaturat që do të konkurrojnë për drejtimin e partisë, kryetari aktual Lulzim Basha përballë së cilit është vënë zoti Eduard Selami. Në garë nuk u përfshi, deputeti tjetër Astrit Patozi, i cili e kishte kushtëzuar kandidaturën e tij me krijimin e një sërë garancishë që do të siguronin sipas tij një garë të drejtë dhe të barabartë.

Në përbërje të Komisionit, i cili kryesohet nga zoti Jemin Gjana është përfshirë dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat. Komisioni, siç shpjegoi zoti Gjana, ka përgatitur sot një udhëzim me të gjitha detajet e organizimit të zgjedhjeve.

Gara për kreun e Partisë Demokratike ka sjellë që tani një krisje të madhe në gjirin e saj. Një numër i konsiderueshëm figurash dhe emrash të njohur kanë kundërshtuar qëndrimin e mbajtur nga zoti Basha dhe refuzimin nga ana e tij për të dhënë dorëheqjen e për të hyrë në garë nga pozita të barabarta. Po ashtu sipas tyre koha në dispozicion është mjaft e shkurtër për të garantuar një proces real zgjedhor. Sipas tyre zgjedhjet do të jenë një farsë me anë të së cilës zoti Basha synon të marrë në tavolinë një mandat të dytë. Deri më tani zoti Basha nuk është prononcuar për kritikat e shumta në adresë të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG