Lidhje

Ligjvënësi amerikan kërkon ndjesë për videon në Aushvic


Një ligjvënës amerikan kërkoi ndjesë dhe hoqi nga interneti një video të regjistruar brenda një dhome gazi të ish kampit të përqëndrimit nazist të Aushvicit. Ligjvenësi republikan Clay Higgins i Luizianës, i cili shërben në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë e Vendit, u përball me kritika lidhur me videon që ai postoi në Youtube dhe Facebook.

Në video, zoti Higgins ecën në kampin e Aushvicit dhe përshkruan tmerret që ndodhën aty, ndërsa arsyeton për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Thuhet se këtu fusnin një turmë prej 700 njerëzish. Rojet pastaj lëshonin gazin helmues nga lart. Helmi aktivizohej pas rënies në kontakt me oksigjenin. Pas 20 minutash të gjithë vdisnin. Të burgosurit e tjerë të skllavëruar më pas i dërgonin trupat e të vdekurve në një vend tjetër për t’i djegur. Ishin tre dhoma gazi si kjo. Ndaj Siguria Kombëtare duhet të forcohet dhe ushtria jonë duhet të jetë e pamposhtur.”

Në përgjigje të videos, zyra e memorialit të ish kampit nazist të Aushvicit publikoi një deklerarë në Twitter, ku shprehej: “brenda një ish dhome gazi, duhet të ketë një heshtje pikëllimi. Ajo nuk është skenë.”

Përmes një deklerate të publikuar të mërkurën, zoti Higgins tha se qëllimi i tij nuk ishte të ofendonte apo mos respektonte askënd. Kjo nuk është hera e parë që zoti Higgins ndez polemika me postimet në Facebook. Pas sulmit terrorist në Urën e Londrës, ai shkroi se bota e lirë është në luftë me “llahtarinë islamike” dhe se terroristët duhet eleminuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG