Lidhje

Dhunë në parlamentin e Venezuelës


Mbështetës të armatosur të presidentit të Venezuelës Nikolas Maduro të mërkurën sulmuan parlamentin e kontrolluar nga opozita, duke sulmuar ligjvënësit dhe duke mbajtur qindra vetë peng brenda ndërtesës, për nëntë orë.

Të paktën 12 persona u plagosën, përfshirë pesë ligjvënës dhe punonjës të Asamblesë Kombëtare. Pengjet, ndër të cilët edhe korrespondenti i Zërit të Amerikës Alvaro Algarra, dëgjuan njerëz të armatosur jashtë ndërtesës të thërrisnin se asambleja do të bjerë.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare Julio Borges fajësoi presidentin Maduro për situatën në Venezuelë, ku muaj të tërë krize politike dhe ekonomike kanë sjellë protesta në rrugë që shpesh kthehen në dhunë mes protestuesve pro dhe kundër qeverisë. Deri tani janë vrarë pothuajse 100 vetë.

"Dhuna në Venezuelë e ka emrin Nicolas Maduro", u tha zoti Borges gazetarëve.

Asambleja Kombëtare ishte mbledhur në një seancë të posaçme për të nderuar ditën e pavarësisë së Venezuelës, kur dhjetëra persona të armatosur hynë brenda.

Në të shkuarën mbështetësit e presidentit Maduro kanë kërkuar që të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare të japin dorëheqjen, por dje ata nuk bënë asnjë kërkesë, siç raportoi gazetari i Zërit të Amerikës, Algarra.

Kryetari i Asamblesë Borges i tha Zërit të Amerikës se ligjvënësit nuk do t’i dorëzohen asnjë kërkese të personave të armatosur.

Gjatë një parade me rastin e ditës së pavarësisë së Venezuelës Presidenti Maduro, tha se nuk kishte asnjë lidhje me atë që e quajti "ngjarje të çuditshme" në Asamblenë Kombëtare.

"Nuk pranoj dhunë nga askush" tha Maduro, duke shtuar se do të kërkonte hetim të ngjarjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG