Lidhje

Mbështetje ndërkombëtare për Maqedoninë


Ministri shtetëror i Gjermanisë, Michael Roth qëndroi të marten në Shkup ku shprehu mbështetje për synimet e Maqedonisë në rrugën e integrimit euroatlantik.

Ai u takua me anëtarë të kabinetit qeveritar maqedonas të cilët i kanë folur për arritjet dhe reformat që ka në plan qeveria t’i realizojë.

Ministri Roth tha pas një takimi me ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov se ka vërejtur gatishmërinë e autoriteteve në Shkup për kapërcimin e problemeve me vendet fqinje dhe se për këtë do ta njoftojë qeverinë gjermane.

Zoti Roth tha se Maqedonia dikur paraqiste shembull të mirë në rajon, por se besimi i madh u humb në të kaluarën. Ky besim duhet të kthehet, tha ministri gjerman ndërsa shtoi se “kishte përshtypjen se ambienti politik në Maqedoni është në përgjithësi i kontaminuar, se kishte urrjetje dhe armiqësi. Kjo është e papranueshme”, tha z. Roth.

Ndërkaq, ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Dimitrov u tha gazetarëve se vendi i tij ndodhet në një fazë të re më të pjekur ku ka përparësi ndërtimi i institucioneve funksionale dhe i mekanizmave të pavarur. Ai foli për një qasje të hapur ndaj vendeve fqinje dhe nevojën e bashkëpunimit aktiv në rajon.

Në Shkup qëndroi edhe ministrja e jashtme e Australisë Julie Bishop, e cila ndodhet në një turne nëpër vende të Ballkanit. Edhe zonja Bishop ka theksuar mbështetjen australiane për Maqedoninë në rrugën e integrimeve.

Në këtë kuadër, analistët në Shkup vlerësojnë se përkrahja ndërkombëtare, për sa i përket integrimeve euro-atlantike është e sinqertë dhe ajo duhet të shfrytëzohet, por se rezultatet konkrete do të vijnë atëherë kur vendi do të tregojë rezultate lidhur me reformat e kërkuara.

Maqedonia ka qenë në një pozitë mjaft të mirë në rrugën e integrimeve, madje edhe para Kroacisë, por bllokada që i është bërë prej vitesh nga Greqia fqinje për shkak të emrit të këtij vendi, por dhe krizat e shpeshta politike të shoqëruara me një shkallë të lartë korrupsioni dhe mungese të sundimit të ligjit, e ka zvarritur rrugën e vendit ballkanik drejt BE-së dhe NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG