Lidhje

Kosovë, 74 gra e fëmijë gjenden ende në luftën e Sirisë


Përfaqësues të policisë së Kosovës bënë të ditur se në konfliktin e Sirisë dhe Irakut kanë mbetur rreth 74 gra e fëmijë nga Kosova. Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë një tryeze me temën “Fuqizimi i rolit të gruas në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm; të arriturat dhe sfidat në Komunën e Prishtinës”, e organizuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë.

Taibe Canolli nga Policia e Kosovës, tha se nga 44 gra të përfshira në konfliktin e Sirisë, vetëm shtatë prej tyre janë kthyer në Kosovë.

“Aktualisht, numri i përafërt është se në konfliktin e Sirisë ishin apo janë të përfshira, diku 44 femra apo gra, prej të cilave 7 janë kthyer. Ndërsa, po ashtu kemi edhe 37 fëmijë në zona të luftës momentalisht”, tha zonja Canolli.

Përfaqësuesit e komunës së Prishtinës thanë se aktualisht nuk kanë ndonjë projekt për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Zyrtarë të kësaj komune thanë se po bëhen përpjekje që nëpërmjet politikave sociale të ngritet roli i gruas në parandalimin e dukurive negative.

Që nga viti 2012, mbi 300 qytetarë të Kosovës u janë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak. Rreth 120 prej tyre janë kthyet në Kosovë, ndërsa besohet se atje gjenden rreth 75 luftëtarë dhe po aq gra dhe fëmijë.

Rreth 200 veta janë hetuar për përfshirje në rekrutimin dhe nxitjen e përfshirjes në veprime ekstremiste.

Autoritetet thonë gjithashtu se gjatë vitit të fundit nuk janë regjistruar raste të përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG