Në Shqipëri Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, nuk mundi të siguronte mandatin e kryetarit të saj në Tiranë Shpëtim Idrizi, pavarësisht shpresës se pas numërimit të disa dhjetra kutive, ajo do të mund të garantonte 37 votat e nevojshme për ta marrë atë.
Për më shumë se 10 orë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u hapën 64 kuti nga të cilat 41 ishin kërkuar nga vetë PDIU-ja dhe 23 nga Partia Socialiste, rezultoi se partisë së zotit Idrizi nuk i ishin llogaritur vetëm 5 vota. Për pasojë mandati i kërkuar nga PDIU-ja i mbetet socialistëve. Në disa kuti u vërejt se disa vota të PSIU-së ishin shpallur të pavlefshme apo ishin numëruar në favor të forcave të tjera politike, ndërsa në disa raste, në të kundërt, asaj i ishin shtuar padrejtësisht votat e të tjerëve.
Në përfundim të numërimit, përfaqësuesi i PDIU-së deklaroi se pretendimet e saj për parregullsi ishin verifikuar dhe kërkoi rinumërimin e të gjitha votave të kryeqytetit. Një kërkesë e cila u hodh poshtë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve me 6 vota kundër.
Facebook Forum