Lidhje

Shqipëri: Sequestrohen mbi 17 ton marijuanë

  • Armand Mero

Një operacion i gjerë i policisë, i shtrirë në disa qarqe të vendit ka çuar në sekuestrimin e një sasie të madhe marijuane e cila mendohet të jetë afërsisht 16.5 tonë. Vetëm në zonën e Vlorës ku u angazhuan mbi 150 forca policore, janë gjetur në tre banesa, sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike nëpër dhoma, në formë të presuar dhe çokollate, të ndara nëpër pako dhe thasë plastikë të zinj. Në total mendohet se sasia e kapur gjatë ditës mund të jetë mbi 15 tonë. Pasdite vonë u njoftua dhe për zbulimin e afro 600 kilogramëve të tjerë. Policia bëri të ditur se “është konstatuar një bazë e gjërë materiale si presa, sita, përbërës kimikë, apo vaj hashashi, të cilat shërbenin jo vetëm për presimin e lëndës narkotike por edhe të përpunimit të saj me përbërës kimikë duke i dhënë formën e çokollatës e të tjera. Janë sekuestruar 5 armë zjarri automatik Kallashnikov”. Dhjetra persona janë shoqëruar, prej të cilëve, 9 janë arrestuar në flagrancë. Dy prej tyre janë punonjës policie: Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, inspektor në Komisariatin e Policisë Vlorë, I arrestuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, si dhe Lirim Lamaj, 49 vjeç, Inspktor në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi në oborrin e shtëpisë së tij u gjetën të mbjella 270 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa.

Afro 1.3 ton dyshohet të jetë sasia e sekuestruar në Kavajë, në dy automjete që udhëtonin drejt bregdetit. Të paktën katër persona mësohet se janë arrestuar. Dyshohet se droga do të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë. Policia sekuestroi pasdite në këtë zonë dhe një motoskaf.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por dhe Ministri i Brendshëm, përgëzuan forcat e angazhuara në ndërhyrjet që nisin që në orët e natës e që çuan në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës. Të dy zyrtarët e lartë u angazhuan për të vazhduar luftën kundër kultivimit të marijuanës, e cila vitin e kaluar njohu një përhapje të gjerë thuajse në të gjithë vendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG