Lidhje

Republikanët në vështirësi për ligjin për kujdesin shëndetsor


Udhëheqësi i shumicës në senatit amerikan Mitch McConnell po përballet tashmë me rezistencë ndaj planit të tij për të zhvilluar votimin që do të shfuqizonte plotësisht ligjin për kujdesin shëndetësor të ish-Presidentit Obama dhe do të vononte me dy vjet zëvendësimin e tij.

Të hënën dështoi përpjekja më e fundit republikane për një reformim të plotë të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Zoti McConnell e njoftoi qasjen e re në hapje të punimeve të Senatin të martën.

"Tani do të provojmë një mënyrë tjetër për të lehtësuar popullin amerikan nga Obamacare", tha ai duke iu referuar ligjit për kujdesin shëndetsor të nënshkruar nga ish-presidenti Barak Obama.

Senatorët republikanë Shelley Moore Capito, Susan Collins dhe Lisa Murkowski njoftuan qëndrimin e tyre kundër, ndërsa Rob Portman dhe të tjerë u shprehën skeptikë.

Presidenti Donald Trump, i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për shfuqizimin dhe zëvendësimin e “Obamacare”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai është "i zhgënjyer" nga dështimi dhe shtoi se republikanët do ta lënë ligjin aktual të dështojë vetvetiu.

"Ne do ta lëmë ligjin “Obamacare” të dështojë dhe pastaj demokratët do të vijnë tek ne dhe do të na thonë: Si mund ta rregullojmë?'"

Qasja më e fundit e zotit McConnell erdhi pasi dy senatorë të tjerë republikanë, Jerry Moran dhe Mike Lee refuzuan të hënën vonë të mbështesin masën e fundit për të shfuqizuar ligjin aktual, të njohur gjerisisht si “Obamacare”. Vendimi i tyre e çoi në të paktën katër numrin e votave "kundër" të republikanëve në një kohë kur për të miratuar ligjin, Mitch McConnell mund të përballonte humbjen e vetëm dy votave, përballë një opozite unanime demokrate. Republikanët kanë një avantazh të vogël në Senat. Ata kanë 52 vende ndërsa demokratët 46 nga 100 gjithësej.

Senatorët Moran dhe Lee në deklarata të veçanta e përshkruan projektligjin e ri si të dështuar për të shkuar aq larg sa të zëvendësojë ligjin ekzistues. Sipas tyre plani i propozuar nuk ofron sa duhet për të kontrolluar kostot në rritje.

Ky është dështimi i dytë për zotin McConnell, të cilit iu desh të anulonte një votim për një variant të mëparshëm në qershor, kur humbja u bë e pashmangshme.

Gjatë një deklarate të tij nënpresidenti Mike Pence u tha anëtarëve të Kongresit të "bëjnë punën e tyre" dhe ta zëvendësojnë ligjin “Obamacare” me një plan të ri ose të rishikojnë legjislacionin e hartuar më parë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Sipas tij mosveprimi lidhur me kujdesin shëndetësor "nuk është alternativë".

Udhëheqësi i demokratëve të Senatit Chuck Schumer tha se dështimi i projekligjit të fundit republikan është prova se në thelb ai nuk "hyn në punë".

"Në vend që të përsërisin të njëjtin proces të dështuar, republikanët duhet të nisin nga fillimi dhe të punojnë me demokratët për një projektligj që ul koston, siguron stabilitet afatgjatë në tregje dhe përmirëson sistemin tonë të kujdesit shëndetësor", tha zoti Schumer.

XS
SM
MD
LG