Lidhje

PD, votimi për kryetarin e ri


Në Shqipëri mbi 100 mijë anëtarë të Partisë Demokratike u thirrën të shtunën për të votuar për kryetarin e ri të katër viteve të ardhshme. Në garë janë dy kandidat, drejtuesi aktual Lulzim Basha dhe zoti Eduard Selami. Votimet në Partinë Demokratike vijnë pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit dhe janë shoqëruar me polemika të forta brenda kësaj force politike. Një grupim figurash të njohura e kanë bojkotuar procesin. Zoti Selami foli pasdite për parregullsi në proces, që nga prania e kryetarëve të degëve në mjediset e votimit deri te raste të shumta sipas tij të mungesës së emrave të anëtarëve në lista. Ish kryetari Sali Berisha tha se partia duhet të gjejë një strategji të re e cila theksoi ai kalon përmes bashkimit

Votimi për kryetarin e Partisë Demokratike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

I pari nga kandidatët në garë që votoi në selinë qendrore të Partisë Demokratike ishte Eduard Selami. Pas votimit ai foli për një proces tejet të rëndësishëm për të ardhmen e partisë, ndërsa përsëriti dhe një herë se gara e tij me zotin Basha nuk kishte qenë e barabartë: “Unë mendoj që gara e pabarabartë nuk mund të nxjerrë një rezultat klinikisht të drejtë. Por ato çka humbas në procedura, unë e fitoj në avantazhin që ka modeli im”.

Zoti Selami megjithatë u shpreh i bindur se votimi i sotëm do ta bëjë më të bashkuar dhe do ta ringrejë Partinë Demokratike.

Të njejtën bindje shprehu dhe rivali i tij, kryetari aktual Lulzim Basha: “Jam i bindur se Partia Demokratike dhe demokratët dalin nga ky proces më të fortë, më të bashkuar dhe gati për t’u kthyer në forcën e vetme që përfaqëson të ardhmen e shpresën e çdo shqiptari të ndershëm në këtë vend”.

Zoti Basha është gjendur nën kritika të forta për humbjen e zgjedhjeve të 25 qershorit por dhe për mënyrën se si u organizua procesi për zgjedhjen e kryetarit, një proces i cili është konsideruar si farsë nga një numër i konsiderueshëm figurash dhe emrash me peshë të Partisë Demokratike.

Të mbledhur të premten në Tiranë, 24 orë pas votimit, ata këmbëngulën se zoti Basha nuk mund ta çojë këtë forcë politike drejt fitores, dhe i bënë thirrje demokratëve të bojkotonin procesin.

Për herë të parë për situatën e krijuar në Partinë Demokratike foli edhe ish kryetari i saj Sali Berisha. Ai tha se i quan të drejta të gjitha kërkesat që nga dorëheqja e zotit Basha deri të shtyrja e garës, duke saktësuar se megjithatë rregullat janë të përcaktuara nga statuti dhe procesi i zgjedhjeve sipas tij është zhvilluar në respekt të këtij statuti.

Ai deklaroi se zoti Basha është përgjegjësi kryesor I humbjes, por se secili duhet të pranojë dhe pjesën e tij:“PD është në vështirësi serioze. Ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj. Por mesazhi im për miqtë e mi, është ky: Humbje fatale nuk ka, humbjet janë të hidhura e të thella. Ndaj ftoj çdo njeri që e do këtë parti, që të gjithë, që të punojmë për një strategji të re e cila e kthen PD në forcë të sigurtë të pushtetit të ardhshëm. Kjo strategji ësht plotësisht e mundshme dhe kalon përmes bashkimit”.

Zoti Berisha shtoi se në këtë vorbull kundërshtirash, duhet të bëhen të gjitha përpjekjet në radhë të parë nga kryetari i ardhshëm. Partia Demokratike theksoi ai duhet të bëjë gjithshka që të gjejë kohezionin më të madh me çdo kontribut brenda saj dhe me elektoratin që këtë herë, siç u shpreh ai, qëndroi i pandjeshëm ndaj saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG