Lidhje

SHBA, Senati miraton hapjen e debatit për reformën e kujdesit shëndetësor


Senati i SHBA miratoi të martën një mocion për të hapur debatin mbi një nismë republikane për të përmirësuar sistemin aktual të kujdesit shëndetësor që u bë ligj nën ish-Presidentin Barak Obama.

Mocioni u miratua me 51 vota pro dhe 50 kundër. Votën fituese për republikanët e hodhi zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili ka njëkohësisht rolin e kryetarit të Senatit.

Pak çaste përpara votimit, udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell tha se republikanët nuk duhet ta pranojnë më ligjin e tanishëm të kujdesit shëndetësor, të quajtur Akti i Kujdesit të Përballueshëm.

Senatori McConnell po drejton përpjekjet për të shfuqizuar Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, i njohur zakonisht si Obamacare. Por gjatë muajit të kaluar ai është detyruar të tërhiqet kur u bë e qartë se nuk kishte vota të mjaftueshme për miratimin e dy versioneve të ndryshme të projekt-ligjit.

Pavarësisht votimit të së martës, mbetet e paqartë se cili version do të debatohet në Senat.

Ligjvënësit republikanë kanë thënë se një version më pak gjithëpërfshirës do të kishte shansin më të madh për të shfuqizuar ligjin Obamacare. Nëse Senati miraton një version me më pak ndryshime, atëherë Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve do të duhet të organizojnë një konferencë për të sheshuar dallimet.

Në një seri komentesh në Twitter të martën në mëngjes, Presidenti Donald Trump tha se Obamacare po i torturon amerikanët. Ai përgëzoi Senatorin John McCain, i cili edhe pse i diagnostikuar me kancer në tru, erdhi në Senat për të hedhur votën e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG