Në Tiranë autoritetet janë vënë në lëvizje për të shmangur ekstradimin drejt Serbisë të Ismail Morinës, tifozit shqiptar që ngriti dronin me simbolet kombëtare mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes së futbollit mes kombëtares serbe dhe asaj të Shqipërisë në vitin 2014.
Morina, u ndalua disa javë më parë në Kroaci, nga autoritetet e këtij vendi, pasi u gjet pa dokumente identifikimi. Një gjykatë kroate e Shkallës së Parë, ka vendosur tanimë në favor të ekstradimit në bazë të një urdhëri arresti ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet serbe, pikërisht për ngjarjen e 2014, ku ndaj lojtarëve shqiptarë më pas u ushtrua edhe dhunë nga tifozët e ekipit të Serbisë.
Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi i është drejtuar homologut të tij kroat “duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”. Në shkresën zyrtare, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se “jemi përpara një shkelje politike, për të cilën bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi", shpjegon ministria e cila në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina “rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politisht për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim.
Edhe Federata shqiptare e futbollit njoftoi se po ndjek nga ana e saj çështjen dhe se Presidenti Armando Duka “ka patur një komunikim intensiv me Kryeministrin e vendit Edi Rama për këtë problem. Kreu i Ekzekutivit së bashku me Presidentin e FSHF kanë marrë kontakt të vazhdueshëm edhe me autoritetet kroate për zgjidhjen përfundimtare të procesit.Gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme, por edhe në vijim janë parë të gjitha mundësitë dhe hapësirat ligjore për të mbrojtur një cështje të tillë”, thuhet në njoftimin e FSHF-ës.
Nga ana e tij dhe ministri i Brendshëm Dritan Demiraj mësohet se ka kontaktuar me ambasadoren kroate në Tiranë duke kërkuar “një gjykim të drejtë” dukë vënë “në dispozicion të autoriteteve kroate dokumentacionin që dëshmon përdorimin politik të kësaj çështje”.
Facebook Forum