Lidhje

Bisedat e presidentit Trump me homologët e Meksikës dhe Australisë


Gazeta “Washington Post” ka publikuar transkriptet e telefonatave të tensionuara që presidenti Donald Trump ka bërë me udhëheqësit e Meksikës dhe Australisë, pak pas marrjes së detyrës.

Sipas dokumenteve, zoti Trump kërkoi që presidenti meksikan Enrique Peña Nieto të mos thoshte që Meksika nuk do të paguante për murin përgjatë kufirit amerikan me Meksikën. Zoti Trump ishte zotuar se do ta detyronte Meksikën të paguante faturën.

Në një transkript të thirrjes telefonike të zhvilluar në 27 janar, botuar të enjten nga “The Washington Post”, zoti Trump i thotë zotit Peña Nieto: "nëse do të vazhdoni të thoni se Meksika nuk do të paguajë për murin, atëherë nuk do të takohem me ju sepse nuk mund ta duroj këtë".

Në një moment zoti Trump thotë: "Më duhet të siguroj që Meksika do të paguajë për murin. Kam dy vjet që flas për këtë".

Por presidenti meksikan Peña Nieto reziston, duke thënë: "pozicioni im ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë shumë i prerë”, duke shtuar se “Meksika nuk mund të paguajë për murin".

Presidenti Trump kundërshton duke thënë: "Por ju nuk mund ta thoni këtë në shtyp. Shtypi do të merret me këtë dhe unë nuk mund ta duroj këtë".

Në fund Peña Nieto thotë se propozimi i zotit Trump për murin "është një çështje që lidhet me dinjitetin e Meksikës dhe krenarinë kombëtare të Meksikës", por ai bie dakord "të mos flitet për murin".

Së fundmi presidenti Trump ka thënë se ai "absolutisht" synon të përpiqet ta bëjë Meksikën të paguajë për murin prej 21 miliardë dollarësh. Por ndërkohë i ka kërkuar Kongresit të miratojë fondin për fillimin e ndërtimit. Megjithatë, fati i propozimit është i pasigurt, në kushtet kur ligjvënësit demokratë dhe disa republikanë janë kundër tij.

Në një tjetër telefonatë me tone edhe më të hidhura të zhvilluar në muajin janar presidenti Trump, i cili veproi shpejt me qëllim frenimin e emigracionin në SHBA, shpërtheu ndaj kryeministrit australian Malcolm Turnbull ndërsa diskutonin një marrëveshje që ish presidenti Barak Obama kishte arritur me Australinë për pranimin e 1,250 refugjatëve në Amerikë.

"Kjo do të më godiste rëndë", i ka thënë zoti Trump kryeministrit australian. "Unë jam njeriu më i rëndësishëm në botë dhe nuk mund të lejojë njerëz të hyjnë në këtë vend. Si mund të bie dakord për të pranuar 2.000 vetë?"

Ndërsa ata debatonin për planin e refugjatëve, zoti Trump i thotë udhëheqësit Australian: "kam bërë disa telefonata gjatë gjithë ditës dhe kjo është më e pakëndshmja që kam patur".

Përpara se telefonata të përfundonte papritmas, zoti Trump i thotë zotit Turnbull se të paktën një nga telefonatat e tij me udhëheqës botërorë, kishte shkuar më mirë. "Telefonata me Putinin ishte e këndshme", i tha zoti Trump, duke iu referuar Presidentit rus Vladimir Putin. "Kjo është qesharake".

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment lidhur me transkriptet. Presidenti Trump ka takuar të dy udhëheqësit Peña Nieto dhe Malcolm Turnbull në tubime botërore dhe në dukje bisedat mes tyre kanë qenë më pak problematike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG