Lidhje

Birra me probiotikë, një alternativë më e shëndetshme


Çdo ditë e më shumë shkenca provon se zorrët luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e njeriut, si fizik ashtu edhe mendor. Për të përmirësuar shëndetin e zorrëve, studiuesit po përpiqen të shtojnë baktere të gjalla, të ashtuquajturit probiotikë, në të gjitha llojet e produkteve ushqimore, përfshirë këtu birrën.

Gjurmë të ekzistencës së birrës gjenden që rreth katër mijë vite më parë, gdhendur në gurë nga fiset sumere.

Ndonëse birra ende vazhdon të jetë popullore, ajo përmban alkool dhe për rrjedhojë nuk është shumë e shëndetshme.

Por gjërat mund të ndryshojnë...

“Është një sfidë e madhe të integrosh probiotikët te birra, pasi ato e kanë të vështirë të mbijetojnë në mjedisin e kësaj pijeje. Por nga ana tjetër, birra kurrë nuk vdes... ajo konsumohet shpesh në aktivitete shoqërore dhe ka treg, kështu që ia vlen përpjekja për ta pasuruar atë me përbërës të shëndetshëm”.

Disa studiues në Singapor prej kohësh po punojnë që bakteret probiotikë të rezistojnë te birra, ndonëse birra dhe probiotikët nuk shkojnë me njëri-tjetrin.

“Kulperi, një barishte mijëra vjeçare, përbërësi kryesor i birrës, i vret probiotikët. Sfida është të gjesh mënyra që probiotikët t’i rezistojnë kulperit, gjë që s’është aspak e lehtë”.

Por shkencëtarët ia kanë dalë mbanë dhe rezultati... një birrë e pasuruar me probiotikë, që mund të përmirësojnë shëndetin e zorrëve dhe forcojnë sistemin imunitar.

“Birra do të jetë e athët, për shkak të probiotikëve që prodhojnë acid laktik, por në të njëjtën kohë, ka shije frutash dhe alkool në masën 3.5 përqind, thuajse aq sa te birrat e athta që shiten sot në treg”.

Melissa Mak shet Kombucha, një përzierje e fermentuar e çajit me majanë që mendohet se kanë gjithashtu efekte pozitive në shëndet. Mak do ta provonte me kënaqësi një birrë me probiotikë.

“Kur thua birrë mendon për diçka të pashëndetshme, por me përbërës si bakteret e mira, majaja dhe laktobacilet, askush nuk është më i sigurtë sa e shëndetshme apo e dëmshme është ajo...”.

Studiuesit janë aktualisht në bisedime me kompani që prodhojnë birrë dhe po kërkojnë për dikë që është gati ta prodhojnë në masë, reklamojnë dhe shesin këtë lloj birre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG